E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër milionë dollarë për 17 kilometra rrugë

Mes rrethit të Elbasanit dhe atij të Peqinit do të ketë një rrugë të re lidhëse. Bëhet fjalë për rrugën që lidh Komunën Pajovë në rrethin e Peqinit dhe qytetit të Belshit në rrethin e Elbasanit. Me një fond prej 4 milionë dollarësh nga buxheti i shtetit, kanë nisur punimet për rikonstruksionin e plotë të rrugës Pajovë - Belsh, me një gjatësi prej 17 kilometrash. Sipas kryetarit të Komunës Pajovë, Albert Kreci, po bëhen thuajse dy javë që kanë nisur punimet, që parashikohet të përfundojnë brenda një viti. Rruga e re e shkurton më shumë se 15 kilometra distancën aktuale dhe kalon nëpër fshatrat Çengelaj e Shezë për në qytetin e Belshit. Kreci pohon se kjo rrugë është e rëndësishme për zonën, pasi do të lidhë dy qendra të fuqishme ekonomike të këtij rajoni, duke ndihmuar gjithashtu fermerët e kësaj zone bujqësore që të arrijnë sa më shpejt tregun, si dhe do t‘u lehtësojë atyre vështirësitë e hasura deri më tani në transport. Mësohet se në projektin e rrugës përfshihet edhe ndërtimi i trotuareve, si edhe rikonstruksioni total i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›