E Diel, 1 Nëntor 2026

Haki Miska dhe Besim Karaj, të aftë mendërisht

Ekspertët psikiatër ekzaminuan dy autorët e vrasjeve më tronditëse, në Librazhd dhe Devoll

Ekspertët psikiatër të Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë kryer ekzaminimet e dy autorëve të ngjarjeve më të rënda të ndodhura në dy muajt e parë të këtij viti. Haki Miska dhe Besim Karaj janë vizituar nga specialistët për të parë gjendjen e tyre psikike. Veprat penale të kryera prej këtyre personave konsiderohen si më të rëndat të ndodhura ndonjëherë në vendin tonë dhe ekspertët u thirrën të bënin kontrollin e tyre mendor. Burime nga Mjekësia Ligjore i thanë gazetës se asnjë prej këtyre personave nuk ka rezultuar me probleme të shëndetit mendor. Miska ka kryer në harkun kohor të 16 viteve plot katër vrasje në seri, duke e filluar më eliminimin e gruas së tij e përfunduar me nënën, më 5 shkurt të këtij viti. Nga ana tjetër, edhe ekzekutimi nga Karaj i tre vëllezërve Mulliri është një nga historitë më të përgjakura të hakmarrjes për motive xhelozie. I tillë mendohet të ketë qenë edhe motivi për vrasjen fillestare të kryer nga Miska, që do të vijonte me tri ekzekutime të tjera.

Ekzaminimi

Ekspertët kanë marrë kontakt me personat në disa seanca për të mësuar më shumë rreth jetës dhe sjelljes së tyre. Psikiatrit panë nëse dy autorët e vrasjeve kishin devijime psikike, halucinacione apo skizofreni. “Personat me çrregullim të personalitetit kanë modele të veçanta të proceseve të brendshme dhe të sjelljes, të cilat i dallojnë qartë nga shumica e njerëzve. Këto dallime kanë të bëjnë me perceptimin e personit, me mendimet, emocionet dhe raportet me të tjerët. Këto modele janë afatgjata dhe rigide, ato paraqiten në situata të ndryshme”, tha eksperti. Ata nuk hasën në asnjë rast të folur të paorganizuar si dalje të shpeshta nga tema, apo të folur pa lidhje. Në seancat e pyetjeve, bluzat e bardha mësuan për sjelljen e tyre në punë, marrëdhëniet ndërnjerëzore, kujdesi për vetveten dhe familjen. Ekspertët nuk konstatuan te këta persona sjellje apo pamje të çuditshme, mungesë të shokëve dhe personave të besueshëm, përpos familjarëve, ankth të theksuar social të shoqërohet me frika paranoide, apo dhe gjykim të gabuar rreth vetvetes. Në tërësi të dy këta vrasës nuk kishin çrregullim të personalitetit, humbje të kontrollit apo pasivitet. Të ekzaminuarit nuk kishin zëra halucinatorë që komentojnë sjelljen e pacientit, që flasin me veten rreth tij, apo lloje të tjera të zërave hamendësues. Ata nuk shfaqën pauza në të folur, apo çrregullim të rrjedhës së mendimeve, që rezultojnë me të folur jashtë kohe, sjellje të çrregullta, marrje të pozave etj. Sipas mjekëve, nuk u plotësuan kriteret e përgjithshme për skizofreni apo çrregullime të tjera psikike.

Ngjarjet

Haki Miska u arrestua nëntë ditë pas vrasjes së nënës së tij, më 5 shkurt të këtij viti, në fshatin Ostren. Ai gjatë dëshmisë ka rrëfyer se kishte vrarë edhe tre persona të tjerë, ndër të cilët bashkëshorten e tij, Mimoza Miska dhe njerkun Gani Bruku. Ndër viktimat e Miskës ishte edhe një mësues i fshatit, pasi ai kishte lidhje me personin që autori dyshonte se ishte i dashuri i së shoqes. Krimi i parë është vrasja e bashkëshortes me mjete të forta. Për 16 vjet me radhë, ai e kishte mbajtur këtë të fshehtë mes tij dhe një shoku të ngushtë, i cili e denoncoi më pas atë që dinte pas arrestimit të autorit. Krimi i fundit i autorit ishte vrasja me sëpatë e nënës së tij që kishte fshehur një prej krimeve, por kishte dijeni edhe për vrasjen e bashkëshortes së të birit. Krimeve të Haki Miskës iu shtua dhe plagosja e vajzës së tij 20-vjeçare në pjesën e veshit dhe të kokës, pasi ajo tentoi të ndalonte vrasjen e gjyshes së saj. Autori i 4 vrasjeve ka tentuar t’u rezistojë pyetjeve për dyshimet mbi vrasjen e të shoqes, por kur është gjendur përballë një dëshmie tjetër të rrëfyesit të tij të vetëm në fshat është dorëzuar. Miska tregoi se njerkun e tij e ka vrarë me ndihmën e të ëmës për motive pronësie dhe deklaruan se kishte rënë nga pema. Edhe mënyra e vrasjes së njerkut ishte nëpërmjet torturës dhe goditjes me mjete të forta. I treti në radhë ka qenë një mësues, që kishte lidhje fisnore me të dashurin e gruas së tij. Mësuesi është vrarë sepse e vinte në lojë autorin, duke e prekur në nder. E fundit në listë ka qenë nëna e autorit, Dija, që kishte dijeni për vrasjet, por ishte bërë edhe bashkëpunëtore në njërën prej tyre. Disa herë kishte dashur të fliste, por asnjëherë nuk e kishte marrë guximin. Për fatin e mirë të saj, vdekjes i ka shpëtuar vajza 20-vjeçare që ka parë të atin duke masakruar gjyshen. Nuk mbetet pas në ekzekutime makabër edhe Besim Karaj. Ai është autor i dyshuar i vrasjes së trefishtë në Vidohovë të Devollit. Karaj ekzekutoi me armë në datë 29 janar të këtij viti tre vëllezërit, Xhiljan Mulliri, Taulant Mulliri dhe Etlevan Mulliri. Nga hetimet doli se autori i vrasjes së trefishtë kishte konflikt me njërin prej vëllezërve Mulliri, konkretisht me Taulantin, pasi dyshonte se ai kishte një lidhje të fshehtë me gruan e tij. Babai i viktimave akuzoi se vrasja ishte paramenduar, sepse djemtë e tij ishin ndier përherë të kërcënuar nga Besim Karaj. Pas kryerjes së vrasjes Karaj u largua nga vendngjarja. Ndërsa policia e kërkonte matanë kufijve, në shtetin grek, ai u vetëdorëzua disa ditë më pas i fshehur në shtëpinë e vëllait të tij në Thumanë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›