E Diel, 1 Nëntor 2026

Berati përkujton 90 vjetorin e lindjes së Vexhi Buharasë



Përkujtohet në Berat 90 vjetori i lindjes së Vexhi Buharasë, një prej personaliteteve të kulturës shqiptare, përkthyes dhe erudit i jashtëzakonshëm në fushën e orientalistikës, posaçërsisht letërsisë klasike perse. Me këtë rast Bashkia e qytetit, Biblioteka dhe fondacioni kulturor “Saadi Shirazi” organizuan disa aktivitete si vendosja e bustit të Vexhi Buharasë në hyrje të Bibliotekës, përurimin e sallës "Firdeusi" që është rikonstruktuar me mbështetjen financiare të Fondacionit Kulturor "Saadi Shirazi", botimin e librit “Firdeusi shqip dhe Vexhi Buharaja” që përmbledh aktet e një simpoziumi shkencor, organizuar disa javë më parë në Berat, kushtuar veprës së poetit të madh persian, Homerit të Lindjes, Firdeusit dhe përkthyesit të tij në gjuhën shqipe, Vexhi Buhara, i cili ka sjellë në shqip një kryevepër të letërsisë botërore, Librin e Mbretërve e njohur ndryshe si “Shah-Name”-ja. Në përshëndetjen e rastit, Fadil Nasufi, kryetar i Bashkisë së Beratit, e konsideroi Vexhi Buharanë si “ikonë të qytetit të Beratit”. “Për njerëz dhe vepra të mëdha, tha Nasufi, nuk ka kufij kohorë dhe gjeografikë apo politikë. Ata, ndonëse me vonesë, do të përkujtohen dhe vlerësohen përgjithmonë. Vexhi Buharaja ka qenë njeri dhe intelektual i jashtëzakonshëm. Ndonëse pati një jetë plot privacione dhe sakrifica për arsye politike dhe ideologjike, duke nisur nga burgimi, internimi, pushimi nga puna etj., ai kurrë nuk u thye. Punoi dhe kontribuoi për vendin dhe kulturën shqiptare shumë më tepër se të tjerët, duke lënë si trashëgim, jo për vete, por për të gjithë shqiptarët, vepra dhe kontribute të njohura dhe të panjohura deri tani për publikun. Ne e njohim Vexhiun si përkthyes të kryeveprave të letërsisë botërore si ato nga persishtja të Firdeusiut dhe Saadiut, përkthimin në shqip të vëllimit të parë me poezi të Naim Frashërit nën titullin “Ëndërrimet” apo “4 stinët”. Por Vexhi Buharaja ka kryer një punë të jashtëzakonshme që lidhet me përkthimet nga gjuhët orientale si dëshmi, dokumente, mbishkrime etj.; Vexhiu ka lënë edhe letërsi origjinale si poezi, artikuj shkencorë, ka dhënë kontribut si pedagog, duke nisur nga qytetit i tij i lindjes, Berati. Akademik Jorgo Bulo tha se “Duke u nisur nga legjendat Shah-Name-ja dhe poeti i saj u bënë një legjendë që trondit prej shekujsh imagjinatën e lexuesit me forcën epike të narracionit, me thellësinë historike, të evokuara në të. Ajo ka një vlerë universale me urtësinë e mendimit universal që e përshkon dhe të të vërtetave universale që pohon përmes gjuhës magjike të poezisë. Ka qenë një guxim i madh krijues i Vexhi Buharasë të sillte shqip jo vetëm “Tehajjulat” e Naimit, jo vetëm “Gjylistanin dhe Bostanin” e Saadiut, por edhe këtë epos madhështor të një epoke të largët në një gjuhë arkaike dhe për kohën kur është shkruar, por të larmishme, me një figuracion kompleks, me një lakonizëm dhe ekspresivitet të veçantë, me një rritëm energjik rrëfimi. Buharaja ia ka dalë ta bëjë të këndojë shqip Firdusiun, duke pasur besim te forca dhe gjallëria e shqipes dhe duke i dëshmuar mundësitë e saj të brendshme me këtë përkthim, si dhe me përkthimin e lirikave brilante të “Tehajjulave”, që u bë gjithashtu pjesë e problematikës shkencore që trajtoi simpoziumi i Beratit”. Shahrouz Falahatpisheh, drejtor i Fondacionit Kulturor "Saadi Shirazi", duke folur për vlerat e librit tha se “ky libër, që po i paraqitet lexuesit shqiptar, përmbledh kumtesat e mbajtura në seminarin shkencor, mbajtur pikërisht në nder të mijëvjeçarit të Shah-Name-së së Firdeusiut, në datë 16 mars 2010, realizuar në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit historik të Beratit, vendlindja e përkthyesit të ndjerë të Shah-Name-së, Vexhi Buharaja. Po ashtu, ky libër është një nderim për Vexhi Buharanë, përkthyesit në gjuhën shqipe të Shah-Name-së së Firdeusiut. Në këto aktivitete në Berat mori pjesë dhe përshëndeti edhe ambasadori i ri iranian në Shqipëri, dr. Ali Amui.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›