Shkodër, shtyn të miturin në krim, arrestohet 42-vjeçari
SHKODËR - Shtyn të miturin të qëllojë me armë mbi një të ri, bie në pranga 42-vjeçari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Gimaj, të Komunës Shalë të Malësisë së Madhe. Dyshimet e para kanë të bëjnë me një krim të ndodhur për shkaqe pronësie. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Shkodrës. Për këtë ngjarje, uniformat blu kanë shoqëruar në komisariat A. Marashin 13 vjeç, ndërkohë që është vënë në pranga në flagrancë, Ndoc Gjinesha. Ai është arrestuar pasi ka shtyrë të miturin në krim dhe është pronari i armës me të cilën është qëlluar 20-vjeçari. Emri i Gjineshas ka dalë gjatë hetimeve që ka bërë policia dhe gjatë dëshmive që janë marrë nga i mituri dhe i plagosuri. Pikërisht pas këtyre fakteve të reja, policia ka vendosur që të ndalojë atë.
Ngjarja
Ka qenë ora 19:30 kur policia ka marrë një telefonatë që njoftonte se, në fshatin Gimaj të Komunës Shalë, është plagosur me armë zjarri automatik Robert Marashi, 22 vjeç banues po në këtë fshat. Ai ishte dërguar me urgjencë në spitalin Rajonal të Shkodrës ku është mjekuar dhe sipas të dhënave nga bluzat e bardha ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar uniformat blu dhe një grup hetimor. Pikërisht nga veprimet hetimore që janë kryer në vendin e ngjarjes, është zbuluar se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Pas bërjes së hetimeve është identifikuar dhe autori i këtij krimi, i cili ka rezultuar se është i mituri A. Marashi, 13 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gimaj. Pas identifikimit, ai është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Shkodër. Gjatë marrjes në pyetje, policia ka zbuluar dhe emrin e personit që e kishte shtyrë atë, të bënte krimin, si dhe i kishte dhënë dhe armën, që kishte plagosur 20-vjeçarin.
Arrestimi
Me të marrë informacionin, policia ka bërë menjëherë arrestimin në flagrancë të shtetasit Ndoc Gjinesha, 42 vjeç lindur dhe banues në fshatin Gimaj. Arrestimi i tij është bërë pasi si rezultat i hetimeve të kryera, rezultoi se ai ka shtyrë të miturin A. Marashi për të kryer krimin. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të arrestuarit, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit tip automatik “Kallashnikov”, me të cilën i mituri ka kryer plagosjen. Policia ka gjetur dhe një tjetër armë zjarri, po automatik së bashku me një sasi të konsiderueshme municionesh luftarake. Pas ndalimit të tij, uniformat blu kanë kryer veprimet procedurale e hetimore, dukë bërë dokumentimin e plotë të ngjarjes. “Dosja me materiale në ngarkim të Ndoc Gjineshas i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “shtytje e të miturit në krim”, “përkrahje e autorit ë krimit”, si dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe monicioneve luftarake”, tha policia.
Kapen me 151 gr Cannabis, dy në pranga
TIRANË - Shpërndanin lëndë narkotike, bien në pranga dy të rinj. Burime nga policia e Tiranës kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se janë arrestuar Leonard Doda, 23 vjeç dhe Dritan Zana, 33 vjeç, të dy banues në Tiranë. Kanë qenë efektivët e seksionit të Luftës Kundër Drogës të cilët kanë kryer arrestimin në flagrancë të dy personave të mësipërm. Ata janë ndaluar pasi dyshohen për veprën penale të “prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”. Doda dhe Zana janë vënë në pranga pasi rreth orës 14:00 të dy ditëve më parë, në rrugën “Don Bosko”, janë kapur në flagrancë me qese që brenda kishin një sasi bime narkotike të që dyshohet të jetë e llojit Cannabis Sattiva. Pas ndalimit të tyre është ushtruar një kontroll në banesën e shtetasit Leonard Doda. Aty janë gjetur dhe sekuestruar një sasi bime narkotike e futur një qese plastmasi. Gjatë aksionit, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar sasia prej 151 gram bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sattiva.
Atentat të riut, e qëllojnë me breshëri “Kallashnikovi”
LUSHNJE - Një atentat është bërë paraditen e djeshme në rrugën automobilistike Fier-Lushnje, por fatmirësisht pa të lënduar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, në vendin e quajtur “Rotondo e Grabianit”, në kohën kur 24-vjeçari me inicialet A. K., po drejtonte mjetin e tij tip “Volksvagen” me targa FR 1497 B. Gjatë kësaj kohe, në momentin që ai ka qenë duke parakaluar një makinë të llojit “Benz” pa targa, ku ndodheshin dy persona të panjohur, është qëlluar në drejtim të tij me armë. Ai fatmirësisht ka shpëtuar pa marrë plagë dhe menjëherë ka njoftuar policinë. Uniformat blu të Lushnjes që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë e incidentit. Nga hetimet është mësuar se, në makinën e 24-vjeçarit kishte 2 vrima, një tek parakolpi dhe një tjetër në prapakolp. Uniformat blu thanë se, janë duke punuar për identifikimin e dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Arsenal armësh në shtëpi, arrestohet i riu
ELBASAN - Arsenal armësh është gjetur në banesën e një 35-vjeçari në fshatin Dushk të Elbasanit. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se, në pranga rreth orës 14:50 minuta të ditës së djeshme ka rënë Ylli Muça. Fletë arresti nga policia është prerë pasi në banesën e tij në fshatin Dushk, gjatë një kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga shërbimet policore, brenda dhe jashtë, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri (pushkë), si dhe një sasi prej 2500 (dymijë e pesëqind) fishekë model 56, të cilat shtetasi i lartpërmendur i mbante pa leje. Aksioni është bërë nga efektivët e Komisariatit të Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me stacionin e Policisë Cërrik. Arsenali i armëve është gjetur pas një pune policore si dhe mbi bazën e disa informacioneve të marra në rrugë operative nga uniformat blu.
14 Maj 2010