Në “Dokufest” mbi 1300 filma
Edicioni i nëntë i “Dokufest”-it i ka mbledhur në një vend mbi 1300 filma nga mbarë bota, kanë bërë ditur organizatorët e tij. Për shkak të interesimit të madh të regjisorëve, qoftë botërorë apo vendorë, për t’i sjellë filmat e tyre në “Dokufest”, afati për dorëzimin e filmave është zgjatur për filmat ndërkombëtarë nga 1 prilli në 15 prill, dhe për filmat vendorë nga data 1 maji deri në 15 maj. Konkursi për filma ndërkombëtarë i edicionit të 9-të të “Dokufest”-it tashmë është mbyllur. Në edicionin e sivjetmë kanë aplikuar 1334 filma, ndër ta 92 animacione, 581 filma të shkurtër dhe 661 filma dokumentarë. Në adresën e Dokufestit kanë arritur filma nga mbi 60 shtete, përfshirë këtu shumicën e shteteve europiane, ShBA, por edhe shtete si Singapuri, Peruja, Kolumbia, Armenia, Korea Jugore, Malajzia, Japonia, Hong Kongu, Bahraini dhe shtete që aplikojnë për herë të parë në Dokufest si Jordania, Siera Leone dhe Ekuadori. Nga Shqipëria kanë aplikuar 10 filma, ndërkaq deri më tani nga Kosova kanë aplikuar mbi 20 filma. Ne mesin e filmave që kanë aplikuar në Dokufest janë edhe fituesit e festivaleve më të rëndësishme botërore si Berlinale, Sundance, IDFA dhe HotDocs. Krahasuar me vitin e kaluar, kur patën aplikuar mbi 800 filma, ky vit shënon një rritje prej mbi 40%. Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Dokufest” është themeluar në vitin 2002 dhe përbën ngjarja më të madhe filmike në Kosovë që mbahet gjatë verës, në qytetin historik dhe piktoresk të Prizrenit
Romani “Senjoria” i Jaume Cabre vjen në shqip
Vjen në shqip një ndër romanet më të njohura të shkrimtarit dhe skenaristit të shquar katalan, Jaume Cabre, "Senjoria". I përkthyer në disa gjuhë të botës dhe i vlerësuar me një sërë çmimesh të njohura letrare, romani "Senjoria" është cilësuar si vepra më e mirë e përkthyer në Francë gjatë vitit 2004. Jaume Cabre, me romanin "Senjoria" është i përkthyer në disa gjuhë të botës dhe i vlerësuar me një sërë çmimesh të njohura letrare si: çmimi i Kritikës, çmimi “Prudenci Bertranda”, çmimi i Kritikës “Serra d’0r”, si dhe “Prix Mediterranee”. Tashmë pranë lexuesit shqiptar ky libër vjen i përkthyer me mjeshtëri nga përkthyesi dhe shkrimtari i njohur Bashkim Shehu. Tematika kryesore e këtij romani është korrupsioni në drejtësi , i cili buron nga pushteti absolut. Edhe pse ky libër është përkthyer pak kohë më parë, autori i librit kishte mundësinë që të vizitonte Shqipërinë dhe të fliste për librin e tij dje në një ceremoni të zhvilluar në Teatrin Metropol , ku i pranishëm ishte edhe ambasadori spanjoll në Shqipëri, Manuel Montobbio. Jaume Cabre ka lindur në Barcelonë. Krijimtaria e tij përmbledh romane, ese , drama dhe skenare televizive. Ndër veprat e tij më të njohura janë "Hija e Eunukut", "Zërat e lumit", "Rrjeta e merimangës", etj.
Prezantohet Stanesku me vëllimin “Vepra të zgjedhura”
Vëllimi “Vepra të zgjedhura” të Nikita Stanesku është prezantuar dje në ambientet e Ministrisë Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përkthyer nga Prof. Sokol Shupo, Dekan i Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve. Vëllimi “Vepra të zgjedhura” të Nikita Stanesku është një botim i parë me poezi bashkëkohore rumune e cila do të ndiqet së shpejti nga një përmbledhje e poezive të poetes tjetër të shquar të këtij vendi, Ana Blandiana. Gjatë këtij prezantimi referuan Bardhyl Londo, këshilltar i ministrit të MTKRS për kulturën, Agron Tufa, Mark Marku, Mihai Tican, atashe kulturor
në Ambasadën e Rumanisë etj. Sokol Shupo, është botues dhe bashkëpunëtor i 11 botimeve ndërkombëtare mbi muzikën si dhe organizator i mjaft aktiviteteve të rëndësishme kombëtare apo ndërkombëtare ndër të cilat festivali i muzikës së re “Vjeshta e Tiranës” (1994-2007); simpoziumi ndërkombëtar “Urban Music in the Balkans”; cikli i konferencave ndërkombëtare “Netëorking in/the Europe” (6 konferenca) etj. Ndërkaq është anëtar, kryetar, nënkryetar ose “liaison officier” për Shqipërinë i mjaft forumeve dhe organizatave ballkanike dhe ndërkombëtare.
14 Maj 2010