E zhdukur prej 1 muaj, gjendet në port
DURRËS - Prej më shumë se një muaj e zhdukur është gjetur dje një 26-vjeçare. Mirela Lisi është identifikuar nga Policia e Durrësit, në momentin kur ajo ka dashur që të kalojë në port. “Rreth orës 22:45, shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë Port, Durrës, bënë identifikimin e shoqërimin e shtetases së kërkuar si e larguar nga banesa Mirela Lisi, 26 vjeçe, lindur e banuese në fshatin Zharrëz, Komuna Zharrëz, Fier, me kombësi e shtetësi shqiptare, me arsim të lartë, me gjendje gjyqësore e padënuar”, thanë gjatë ditës së djeshme burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar. Sipas tyre, Lisi ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Fierit, në datën 8 prill 2010, pasi ishte larguar nga banesa. Pas ndalimit të saj, është bërë shoqërimi në komisariat ku është marrë dhe në pyetje. Pas procedurave ajo u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Fierit.
Shembet miniera, plagoset punonjësi
BULQIZË - Një 50-vjeçar është lënduar gjatë punës në minierën e Bulqizës. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, teksa i lënduari Sazan Muça ka qenë duke gërmuar në nivelin 12. Në një moment një pjesë guri është shkëputur duke i rënë mbi këmbën e majtë, çka i ka shkaktuar atij plagë por pa rrezik për jetën. Të pranishëm kanë qenë dhe punonjës të tjerë të cilët e kanë nxjerrë 50-vjeçarin nga miniera dhe e kanë dërguar menjëherë drejt spitalit rajonal. Por për shkak të plagëve në këmbë, Sazan Muça është transportuar drejt Spitalit Ushtarak për kurim më të specializuar.
14 Maj 2010