Britani, mblidhet kabineti i ri i Kameron
Kryeministri i ri konservator Dejvid Kameron zhvilloi dje mbedhjen e parë të kabinetit me partnerët e tij të koalicionit, Liberal Demokratët. Kabineti është i përbërë nga 18 Konservatorë dhe 5 Liberal Demokratë. Qeveria e re është zotuar të marrë masa të menjëhershme kundrejt defiçitit buxhetor duke kursyer gati 9 miliard dollarë në sektorin publik, këtë vit. Ministri Xheremi Hant sugjeroi se asnjë ministri nuk ka imunitet nga shkurtimet, madje as edhe Lojrat Olimpike 2010. Ditën e mërkurë udhëheqësit e qeverisë së parë të koalicionit në Britani që nga Lufta e Dytë Botërore kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri i ri konservator, Dejvid Kameron dhe zëvendësi i tij, Nik Kleg u zotuan për një politikë të re. Në veprimin e tij të parë, kabineti ra dakord të ulë me 5 për qind pagat e të gjithë ministrave, si pjesë e përpjekjeve për të shkurtuar defiçitin rekord prej 235 miliardë dollarësh.
Serbi
Në varrin masiv gjenden 350 kufoma
Zëvendësprokurori serb për krimet e luftës, Bruno Vekariç
Ka bërë të ditur se ekziston mundësia që në varrin masiv të zbuluar pak ditë më parë mund të jenë jo 250, por 350 kufoma. Pritet që një hetues serb të nisë procedurat ligjore për zhvarrosjen e këtyre kufomave. Hetuesit serbë besojnë se mbetjet trupore u përkasin shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës së viteve 1998-99. Një pjesë e kufomave janë transportuar dhe varrosur në Serbi për të fshehur gjurmët e krimit, raportojnë mediat kosovare. Mbi 1800 persona llogariten ende si të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
SHBA
Arrestohen dy persona për “Times Square”
Dy persona janë ndalur në zonën e Bostonit në kuadër të hetimeve mbi atentatin e dështuar në “Times Square” të Nju Jorkut.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave kontrolle janë ushtruar në veçanti në zonën e Uotërtaunit, një periferi e Bostonit. Nga hetimet kanë dalë të dhëna dhe prova në ngarkim të personave të dyshuar, deklarojnë burimet. Ndërkohë, FBI bën të ditur vetëm se dy personat janë ndaluar për shkelje të ligjeve mbi emigracionin. Më herët një tjetër person është arrestuar për këtë ngjarje, por ai deklaroi se nuk kishte bashkëpunuar me dikë.
Tajlandë
Plagoset rëndë lideri i protestuesve
Ish-majori i ushtrisë, njëkohësisht një nga liderët më radikalë të “këmishëve të kuqe” tajlandeze, Khatiya Saëasdipol është plagosur rëndë në përleshjet me forcat e sigurisë. Ngjarja ka ndodhur në kampin e manifestuesve antiqeveritarë në Bangkok.
Personi në fjalë, i njohur ndryshe me pseudonimin “Seh Daeng” është qëlluar në kokë me armë zjarri dhe është dërguar në spital bashkë me të plagosur të tjerë. Sipas mediave ndërkombëtare, pak më herët në të njëjtën zonë është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm dhe breshëri të shtënash.
14 Maj 2010