E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidenti, KFOR-i shton sigurinë në kufi me Maqedoninë



Menjëherë pas incidentit ku mbetën të vrarë katër persona, Kosova ka shtuar sigurinë në kufi me Maqedoninë. Njësitë për ndërhyrje të shpejta të KFOR-it i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it, në përpjekje të menaxhimit të brezit kufitar Kosovë - Maqedoni, pas incidenteve të armatosura me bilanc tragjik, që ndodhën ditët e fundit në brendi të kufirit maqedonas. Zëdhënësi i KFOR-it, Mihael Këting, tha se policia kishte raportuar për incidente të armatosura në Maqedoni, në afërsi të kufirit me Kosovën. Menjëherë KFOR-i kishte dërguar njësitë e reagimeve të shpejta, të cilat i janë bashkuar policisë vendore dhe asaj ndërkombëtare. “Ne do të qëndrojmë atje për aq kohë sa do të ketë nevojë për ne”, tha Këting. Bilanci tragjik i incidenteve, sipas autoriteteve maqedonase, është katër persona të vdekur dhe disa të plagosur. Tri nga viktimat janë prezantuar se i përkasin shtetit të Maqedonisë, kurse një është shtetas kosovar. Ndërkohë, përfaqësuesit politikë në Prishtinë i kanë ftuar të gjitha palët e përfshira për përmbajtje dhe maturi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se Kosova është e interesuar të kontribuojë në stabilitetin e gjithë rajonit. Ai ftoi edhe Qeverinë në Shkup, edhe qytetarët e atjeshëm që të kontribuojnë po ashtu në ruajtjen e paqes dhe të qetësisë. Personi i katërt që mbeti i vrarë në incidentin e së mërkurës në fshatin Radushë të Shkupit është identifikuar. Sipas agjencisë së lajmeve rajonale, ai quhet Harun Aliu, i njohur si komandant Kushtrimi, i cili ka qenë edhe kryetar i partise Alternativa Kombëtare (AK).

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›