E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati pushtohet nga turistët kosovarë

 

BERAT - Kosova pushton Beratin. Qyteti muze i Beratit pas futjes në UNESCO po vizitohet nga turistë të shumtë, vendas e të huaj. Vetëm ditën e djeshme, në këtë qytet kanë zbritur nga Kosova 1500 vizitorë, përkatësisht nxënës të shkollave të mesme të qyteteve të ndryshme. Ata mbërritën me autobusë në Berat, duke mbërritur në hyrje të lagjes "Mangalem" e më pas janë shpërndarë në të gjithë qytetin. Një pjesë e tyre i është drejtuar lagjes "Goricë" duke kaluar urën e varur që ndodhet mbi shtratin e lumit Osum. Ndërsa një numër i madh vizitorësh kanë marrë rrugën e kalldrëmtë që të çon në lagjen e kalasë. Të gjithë turistët kanë vizituar institucionet muzeale që ndodhen në këto lagje, muzeun "Onufri", etj. Përveç gjimnazistëve kosovarë, në qytetin e Beratit ndodheshin dhe një numër i madh turistësh nga vende të Perëndimet. Ata kanë pasur si destinacion jo vetëm qytetin, por dhe kanionet e Osumit. Burime nga zyra turistike e Beratit bëjnë të ditur se brenda 8 muajve Beratin e kanë vizituar 25 mijë turistë, të cilët kanë pasur përshtypje shumë të mira për bukuritë e vlerat muzeale.                          d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›