E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkimi tre vjet afat për t'u larguar nga kalatat

 

DURRES/ OERD ULQINI

Autoriteti Portual i Durrësit i jep tre vjet afat sektorit të peshkimit për t'u larguar përfundimisht nga ujërat e portit. Në bazë të masterplanit mbi zhvillimin dhe perspektivën e portit të Durrësit, është parashikuar që dy pontilet ku aktualisht ankorohen 100 anije peshkimi të jenë në dispozicion të trageteve. Sipas nëndrejtorit Mentor Bunguri, brenda tre vjetëve të ardhshme nga ky port duhet të jetë larguar edhe peshkarexha e fundit. "Nuk është punë e portit gjetja e një vendi për peshkarexhat. Ne do të ekzekutojmë vendimin, për t'i hapur rrugën masterplanit. Është në të mirë të peshkimit largimi nga porti tregtar, pasi 100 anije janë ngjeshur në ato dy pontile si në kuti sardelesh", tha Bunguri për "Panorama". Ai nënvizoi se Drejtoria e portit do ta zbatojë me rigorozitet masterplanin, që i hap perspektivën Durrësit si një portë e korridorit të tetë. Përsa i përket sistemimit të 100 peshkarexhave Bunguri deklaroi se Ministria e Mjedisit apo e Bujqësisë duhet të merren me këtë projekt. Në këtë mënyrë peshkarexhat bëhen të padëshiruara për portin tregtar të Durrësit, jo vetëm për ndotjen që prodhojnë por edhe për zaptimin që u bëjnë qindra metrave linearë kalatë. Në portin e Durrësit një metër linear kalatë për anije transporti apo pasagjerësh varion me një çmim ditor prej 4-10 eurosh (në varësi të tonazhit), ndërsa as mund të mendohet që peshkarexhat ta paguajnë këtë shumë. "Nisur nga fakti se aty çdo metër linear sjell valutë në euro apo dollarë, atëherë as që mund të imagjinohet që peshkarexhat të strehohen aty. Për fat të keq kemi raste kur anijet presin në radë, pasi nuk ka vend në port, ndaj për të mos i lënë anijet tregtare që të presin, është parashikuar zbatimi i masterplanit", tha Bunguri. Miratimi i masterplanit ngjan si një ultimatum që u jep peshkatarëve durrsakë vetëm tre vjet kohë për t'u larguar nga porti. Por edhe sikur porti i ri i peshkimit të fillonte ndërtimin e tij që sot, ai kurrë nuk mund të përfundonte brenda tre vjetësh. Kjo për faktin se projekti fle akoma në sirtare, ndërsa ndërtimi është një proces i gjatë dhe i komplikuar inxhinierik. Kjo e bën akoma më të zymtë të ardhmen e peshkimit në Durrës, qytet në të cilin mbi 1000 familje mbahen nga ky aktivitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›