E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati, “qyteti i një mijë e një dritareve”

Autori i Lajmit: red.
Berati është një ndër qytetet e rralla, që i takon agimit të njerëzimit. Një kohë, kur ujërat rridhnin të pakontrolluara dhe shkatërruese, në këtë zonë u krijua një masiv shkëmbi, i zbuluar nga natyra në sajë të këtij lumi, i cili duhet të jetë vënë posaçërisht për të mirëpritur një qytet, ku jeta filloi të organizohej për më shumë se 2400 vjet më parë. Ky qytet, rezultat i fantazisë së rafinuar, tërhoqi poetët të shkruajnë dhe piktorët të pikturojnë. Qytetet si Berati kanë një gjenezë jo të thjeshtë. Periudha e paraqytetërimit zgjati gati dy mijë vjet. Zbulimi në muret e kështjellës, i dy çekiçëve prej guri dhe mbetjeve metalike (përbërë prej bakri dhe bronzi), që i përkasin fillimit të periudhës së bronzit (dy mijë vjet para Krishtit) e provojnë këtë.
Zbulimet arkeologjike
Zbulimet e mëvonshme të shumë pjesëve prej qeramike tregojnë shtimin e ngulimeve të bëra në këtë qendër, derisa në shekullin IV para Krishtit, vendi u transformua në një kështjellë në kodër djathtas lumit Osum, e cila shënoi origjinën e qytetit. Kështjella me bazamente ilire, u ruajt në shekuj. Në shekujt VI, XIII, XV e XIX ajo pësoi modifikime. Si e tillë ajo nuk është vëtëm një ndër kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv gurësh, i cili ofron një varietet stilesh e kontributesh të epokave të ndryshme, si asaj Romane, Bizantine, Shqiptare e Otomane.
Kështjella e Goricës
Gjithmonë së njejtës periudhë (shekulli IV para Krishtit) i përket edhe një tjetër kështjellë ajo e Goricës, e pozicionuar në kodrën përballë, krijon një fortifikim dopio në të dy anët, të cilat zbresin drejt lumit. Rezultat e këtij fortifikimi nuk ka qenë vetëm mundësia për të dominuar zonën, por edhe për efekt dekorativ për pamjen: kodrat ngjajnë si mbret me kurorat mbi koka, të fomuara nga kështjellat e bardha. Historia duhet të ketë përqendruar këtu drama dhe tragjedi. Duke qenë një nga qytetet më të rëndësishme të mbretërisë ilire, u banua nga një tribu e madhe: Dasaretët. Gjatë luftrave iliro-romake dhe maqedonase-romake qyteti u mor një herë nga maqedonasit e një herë tjetër nga ilirët. Është interesante të dihet se në Berat u lind Tolomeo Lagosi, i biri i Filipit të Maqedonisë dhe themeluesi i dinastisë Tolomene në Egjipt, e cila filloi pas vdekjes së Aleksandrit të Madh dhe që vjen deri në vdekjen e Kleopatrës. Në vitin 200 pas Krishtit qyteti u dominua nga romakët. Qyteti i fortifikuar dhe i quajtur Antipatrea nga Polibio në vitin 216 para Krishtit. Me të njëjtin emër e quan më vonë Tit Livi, që e përshkruan si qytet i madh e i fuqishëm, i fiksuar në një qafë të ngushtë shkëmbore. Livi tregon edhe për ligësinë e konsullit romak, i cili u përgjigjej qytetarëve që nuk i përuleshin me egërsi. «…Vrau të gjithë nga gjashtëmbëdhjetë vjeç e lart, lejoi që ushtria të vidhte, të shkatëronte muret e t i vinte hekurat dhe zjarrin qytetit».
Hipoteza e emrit
Për sa i përket emrit të qytetit ekziston edhe një tjetër hipotezë: emërtimi i qytetit antik me emrin Bargul. Ky emër përmendet edhe nga Tit Livi kur flet për traktatin romako-maqedonas të vitit 205 para Krishtit, nënshkruar në qytetin e Dimalit. Ky emër, i cili në gjuhën ilire do të thotë i bardhë, mbahet më vonë në traditën bizantine dhe sllave, ndërsa emri tjetër, Antipatrea, u përmend nga Dasaretët, që sot është zona midis Korçës dhe Pogradecit. Romakët e quajtën qytetin edhe Albanorum Oppidum (Fortesa e shqiptarëve). Në vitin 148 para Krishtit qyteti u përfshi në provincën romake të Maqedonisë, ndërsa gjatë Dioklezianos (shekulli II pas Krishtit) në provincën e Epirit të Ri. Emri Pulcheriopolis u shfaq në shekullin V, nga emri i motrës së perandorit të Lindjes Teodosio II i Riu. Ky emër, Pulcheria, që do të thoshte i bukur, i fortë, i pasur, i ndritshëm, iu dha qytetit jo pa qëllim : qyteti po bëhej në fakt një kryeqëndër dhe shfaqte një nivel të lartë kulturor dhe dëshmi siç janë kodet e famshëm të Beratit, të cilat i përkasin kësaj periudhe.
Mesjeta
Me kalimin në Mesjetë, fillon një periudhë e errët edhe për Beratin. Qytete të tjera të vogla shqiptare zhduken. Berati mbeti vetëm një hapësirë e gjerë: fusha para dhe malet pas. Qyteti mbijetoi vetëm falë rrjetit rrugor të Shqipërisë së Mesme rreth Beratit, por edhe për pozicionin gjeografik, sepse është pika në të cilën bashkohet fusha me malet, pozicion i cili siguron agrikulturë dhe blegtori. Megjithë kushtet e mbylljes së ekonomisë, Berati vazhdoi të zhvillohej dhe filluan të shfaqen raportet e tipit feudal. Në vitin 860 në Berat filloi i pari invazion bullgar, i cili zgjati deri më 927, kur u kthye dominimi bizantin, i cili vazhdoi deri në fund të vitit 969. Pas kësaj filloi menjëherë invazioni i dytë bullgar, i cili u largua përfundimisht në vitin 1018. Invazioni bullgar, në fazën e dytë, e pagëzoi Beratin me emrin Belgrad, fortesa e bardhë. Përveç këtij transformimi të emrit, qyteti nuk pësoi të tjera transformime nga ana e bullgarëve. Pas rënies së mbretërisë bullgare (1018) qyteti luajti rolin e një qendre të rëndësishme. Fakt u bë edhe letra e viteve 1096-1105 e Theofilaktit të Ohrit një ndër dijetarët më të përmendur të kohës, në të cilën e përshkruan peshkopin e Beratit si «një njeri tek i cili shkëlqen dituria».
Feja
Me rënien e perandorisë bizantine, Berati u bë një prej qendrave kryesore të autoriteteve religjioze të Epirit. U bë rezidenca e Mikele I, Angelo Komneno, zotëri i Dioqezës së Epirit. Në hyrje të kështjellës, në portën jugore, gjendet një monogramë e përbërë prej gurësh, një kryq e katër gërma ku shkruhet M.H.L.K., i cili është emri i dhespotit M. (i) H. (a) L. K. (Omneni). Kjo rrënjë e familjes së madhe bizantine të Angelo Komnenit merr fund në vitin 1216 por, pasardhësit e tij do të mbajnë këtë emër edhe për gjysmë shekulli. Për perandorin bizantin, Berati ishte kaq i rëndësishëm, saqë tërhoqi menjëherë vëmendjen e Anxholinëve në vitin 1271. Disfata e Anxholinëve, të cilët kishin zaptuar qytetin për gati dhjetë muaj, u festua me gëzim të madh si në Berat, ashtu edhe në Kostandinopojë. Ngritja e Kishës së Shën Mërisë së Vllahernës, brenda kështjellës së Beratit (një emër që të kujton pallatin perandorak të Kostandinopolit) lidhet me këtë fakt. Data e krijimit të kishës mban, në fakt, të njëjtën periudhë. Në kodet antikë të Beratit, të vitit 1280, gjenden të parat lajme mbi daljen e qytetit jashtë mureve të kështjellës. Nga këto tekste evidentohet që ndërtime të reja filluan edhe jashtë mureve.
Revolta popullore e shek XIV
Rëndësia e madhe e Beratit ndihet edhe në fillim të shekullit XIV (1302-1320) kur qeveritarët e Beratit morën detyra të rëndësishme nga Bizanti, një prej tyre ishte kunati i Perandorit. Në atë kohë në Berat manifestohen shenjat e para të një revolte popullore dhe një tendencë për autonomi nga ana e latifondistëvë shqiptarë. Revolta shpërtheu në vitin 1336 dhe përfshiu edhe Beratin. Për të ulur revoltën popullore erdhi në Berat vetë Perandori. Në të njëjtën periudhë afrohet fundi i erës bizantine. Në vitin 1345-1346 Perandoria Bizantine zhduket përfundimisht nga skena politike shqiptare. Filloi dominimi i mbretit serb Stefan Dushan, Berati u vu nën mbikëqyrjen e tij dhe u quajt Belgrad, edhe pse më vonë u kthye nën dominimin e Muzakajve, një ndër familjet më të fuqishme shqiptare. Në vitin 1417 Berati u mor nga turqit.
Skënderbeu mori Beratin në 1455
Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, mori në konsideratë rëndësinë e qytetit, e rrethoi në korrik të 1455, por ardhja e papritur e 40.000 kalorësve turq shkaktoi një humbje të rëndë. Gati të gjithë ushtarët italianë, të cilët ishin vënë në dispozicion prej Alfonsit V të Aragonës për t i dhënë ndihmë Skënderbeut nën komandën e Raimondo Orsatës, mbetën të vrarë poshtë mureve të kalasë. Sipas regjistrit turk të vitit 1431, në Kalanë e Beratit ndodheshin 227 familje, me një total prej rreth 1500 banorë. Në shekullin XVI Berati mori zhvillim paralelisht me rritjen e Perandorisë Otomane. Ndërtime të reja u bënë jashtë mureve të kalasë, në momentin e parë jug e juglindje, dhe më pas përgjatë anës së djathtë të lumit Osum dhe, më në fund, përtej lumit, në anën jugore të kodrës së Goricës. Në fund të shekullit mund të numëroheshin 1019 shtëpi, me një total prej rreth 7000 – 8000 banorësh. Një zhvillim të madh mori artizanati, i cili dëshmohet nga lindja, bashkëpunimi dhe tregu i lulëzuar. Gjatë invazionit otoman Berati mbetet një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Në fillim u bë kryeqendra e provincës, në shekullin XVII, qendër e dominimit të Pashallëkut të Beratit, i cili më vonë i bashkohet Pashallëkut të Janinës. Dominimi i Pashallëkut të Beratit u bë shumë i rëndësishëm nën Ahmet Kurt Pashën.
Pozita gjeografike
Deri në fillim të shekullit XX qyteti kishte një infrastrukturë të mirë. Ishte, në fakt, një nyje lidhëse drejt Lindjes, për Kostandinopolin, por edhe drejt Jugut, për Janinën, e prej andej, për gjithë Greqinë. Edhe deti Adriatik u përdor si rrugë komunikimi e lejonte hapjen e rrugëve që lidhnin Beratin me qytetet e tjera, më e njohura ishte «Rruga e Detit», e cila të çonte në Vlorë, dhe ajo në drejtim të Veriut, që bashkohej me lumin Shkumbin me rrugën Egnatia dhe përfundonte në Durrës. Ka hipoteza se emri Berat rrjedh nga një variant shqiptar i quajtur Belgrad, por ekziston edhe një tjetër supozim, sipas të cilit emri shpjegohet nëpërmjet një dekreti (Berat), i cili në turqisht do të thotë imunitet, privilegj. Ky dekret i sulltanit Mehmet II Fatihu, nuk e trajtonte Beratin me autoritet dhe nuk i lejonte qytetarët të largoheshin, nuk njihte lirinë për të punuar, as dhe të drejtën për të mbajtur kostumet dhe zakonet e tyre.

Ky lajm është publikuar: 24/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›