E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrufeja godet mjetin, humbin jetën tre persona

Autori i Lajmit: red.
Një shkarkesë elektrike është bërë shkak i një aksidenti të rëndë në afërsi të Lushnjës. Tre të rinj kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë, pasi makina me të cilën udhëtonin është goditur nga rrufeja dhe më pas ka dalë nga rruga. Policia bën të ditur se në mjetin tip “Benz” udhëtonin katër shokë klase.
Aksidenti
Rrufeja ka goditur një automjet tip “Benz” me targa të Tiranës, makina ka dalë jashtë kontrollit duke përfunduar jashtë rrugës. Makina në të cilën udhëtonin 4 shokë klase ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën. Aksidenti ka ndodhur paraditen e djeshme në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Çermës në Lushnjë, ku gjetën vdekjen Roland Muçaj, Admir Vladi e Eduart Vrapi, ndërsa është në gjendje të rëndë Endri Shurdhi. Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur pasi makina është goditur nga rrufeja. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se 20-vjeçari Roland Muçaj që drejtonte mjetin tip “Mercedes Benz” gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa tre shokët e tij që udhëtonin me të u plagosën rëndë teksa besohet se një rrufe ka goditur mjetin me targa TR 7673 M. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit, por gjatë shkuarjes për në spital kanë ndërruar jetë edhe dy shokë të tjerë të viktimës.
Policia
Sipas policisë vendore, aksidenti ka ndodhur dje rreth orës 11:00 në aksin Rrogozhinë-Lushnjë, kur makina me targa TR 7673 M ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurat. Menjëherë policia ka mbërritur në vendngjarje për t u dhënë ndihmën e parë të aksidentuarve. Roland Muçaj nga Tirana, i cili drejtonte automjetin, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa tre shokët e tij janë dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Lushnjës. Në gjendje të rëndë shëndetësore është i mbijetuari Endri Shurdhi.
Ky lajm është publikuar: 24/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›