E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kishat, perla të arkitekturës mesjetare

Autori i Lajmit: red.
Kishat e Beratit, të pasura me afreske përmbajnë vepra të mjeshtërve të shekullit XV si Onufri dhe i biri, Nikolla
Disa kapitele dhe kolona dëshmojnë ekzistencën e kishave paleokristiane në Berat në shekullin IV-VI, për shembull bazamenti i kishës Shën Todri dhe një kolonë e vendosur kundrejt dritares së absidës. Gërmimet dëshmojnë që kishat e shekullit XVI–XVIII janë ndërtuar sipër themeleve më antike. Ndërmjet ndërtimeve më të rëndësishme midis shekullit VII-XV janë tri kisha bizantine të konservuara mirë: Shën Maria e Vllahernës dhe Shën Triadha, në brendësi të qytetit të vjetër të fortifikuar, në anën jugore të kalasë gjendet Shën Mëhilli, ndërtuar mbi një shkëmb të thepisur jashtë mureve. Kishat në Berat janë perla të arkitekturës mesjetare. Qyteti ka qenë një qendër e rëndësishme kishtare. Ka një numër të madh kishash (42) të ndërtuara në brendësi të kështjellës. Këtu u gjend edhe një vepër tjetër e rrallë, Epitafi i Gllavenicës, (Foto) një vepër e famshme e artit të shekullit 1373, një qëndisje në ar, argjend e mëndafsh, në të cilën, me një finesë dhe plasticitet të papërsëritshëm shikohet Krishti i vdekur, me kurorën me gjemba e rrethuar nga shkrime në greqisht. Kishat e Beratit, të pasura me afreske të periudhës bizantine e postbizantine, përmbajnë vepra të autorëve të ndryshëm, duke u nisur nga të panjohurit e shekullit XII-XIV deri tek mjeshtrit e mëdhenj të shekullit XV si Onufri dhe i biri, Nikolla. Nga ndërtime të kultit mysliman dy prej tyre gjenden në brendësi të kështjellës: Xhamia e Kuqe(shekulli XIV) dhe Xhamia e Bardhë(shekulli XV). Xhamia më e bukur është Xhamia e Plumbit (shekulli XVI) ndërtuar nga Uzgurliu, anëtar i familjes Skuraj në Berat, një familje e fuqishme dhe feudale. Kjo xhami është më e madhja i këtij lloji në Shqipëri. Në 1827 u ndërtua me një mjeshtëri të rrallë Xhamia e Beqarit, që harmonizohet më së miri me lagjen “Mangalem”, që duket si shigjeta e një peshoreje që mban ekulibrin e një kompleksi xhamash të një dritareje të madhe të lagjes. Xhamia Mbret (Xhamia e Bajazitit) nga ndërtimi antik i së cilës nuk ngelet tjetër veç bazamenti i minaresë, u rindërtua në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX. Aktualisht përbëhet nga minareja, salla e lutjeve që ka një tavan elegant në dru të dekoruar dhe hyrjen. Kjo xhami ndodhet në qendër të qytetit në formën e një trupi unik me ndërtesa të tjera kulti si Teqeja e Helvetive dhe ajo e Shën Qerimit. Xhamia përbënte në mesjetë elementin kryesor të një bashkësie vendesh kulti. Berati numëronte disa teqe që shërbenin për të përhapur doktrinat mistike të predikuesve të ndryshëm të ardhur nga Lindja në shërbim të pushtuesve myslimanë. Në mesin e shekullit XVII në Berat egzistonin 3 teqe, aktualisht ekziston vetëm e para, e quajtur Teqeja e Helvetive që ishte në formë tetëkëndore dhe që kishte 40 dhoma për dervishët, që aktualisht ekziston vetëm një e fundit që ruan emërtimin antik të Helvetëve. Teqeja e Helevetëve është një tjetër vepër e një cilësie të lartë (mesi i shekulli XVIII). Ajo është ndërtuar në lindje të Xhamisë Mbret. Eshtë një strukturë karakteristike e kultit islamik në qendër të së cilës është një sallë lutjesh, dhe jashtë një varrezë me një portë me 6 harqe. Salla e lutjeve me planimetri katrore ka një tavan me dekoracion të pasur.

Ky lajm është publikuar: 24/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›