E Diel, 1 Nëntor 2026

“Beratinus”, hyrje në bibliotekën e kodikëve

15/04/2005  Në vitin e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, si figurë parësore e Rilindjes Evropiane - drejtori i Arkivit të Shtetit, Shaban Sinani, boton për herë të parë monografinë e kodikëve shqiptarë “Beratinus”

Kur në hapësirën shqiptare u bënë traditë dorëshkrimet kishtare, mjaft dijetarë shquan romantizmin që lulëzoi në provinca në kohën kur perëndoi në qendër. Për studiuesit e sotëm, zhbirimi i kodikëve përbën një interesim të pashmangshëm të shkencave etno-kulturore, si dijet më të afërta në antropologjinë tonë kulturore. Duke u nisur nga kjo sprovë, për një kronologji dhe periudhëzim të kodikëve të Shqipërisë, drejtori i Arkivit të Shtetit, Shaban Sinani nxjerr botimin monografi “Beratinus”. Ndërkohë që kodikët (libra në dorëshkrim, shkrime të shenjta biblike ungjillore agjiografike) konsiderohen si dëshmitë më të hershme të historisë së shkrimit nëpër trevat shqiptare. Për të huajt, kodikët e Shqipërisë, me disa përjashtime të rralla, thekson Sinani, kanë mbetur jashtë vëmendjes së dijes antropologjike dhe bibliografike botërore. Paraqitja e tyre në mjedise shkencore ndërkombëtare gjatë viteve të fundit ka bërë që të konsolidohet mendimi se në hapësirën iliro-shqiptare ka ekzistuar një shkollë vendore e shkruesve të fjalës së shenjtë.

Por ajo që ka çuar në zenit kërshërinë e botës së huaj, studiuesve, spikatja e “Kodikut të Purpurt të Beratit”, në të cilën “emri i perëndisë, i konsideruar ende i papërkthyeshëm, diku në kapërcim të tabusë, shkruhet në një formë të veçantë, që nuk gjendet në ndonjë kodik tjetër të së njëjtës kohë a të mëvonshëm”. Për vlerat e këtyre kodikëve është bërë dhe propozimi nga Arkivi i Shtetit, që të përfshihen në regjistrin e programit “Kujtesa e botës”, të përfshirë në UNESCO.

Ndërsa kërkimet e viteve të fundit kanë bërë të mundur evidentimin e mjaft kodikëve të rinj, që ruhen nëpër bibliotekat familjare.

“Shqipëria është një prej vendeve që ka trashëguar një bibliotekë të pasur të dorëshkrimeve të tipit ‘kodik’, me vijimësi kronologjike për 15 shekuj me radhë. Jo vijimësi, duke gjykuar prej renditjes së vlerave që kanë mbërritur deri më sot, rezulton pa dëshmi vetëm ndërmjet shek. 7-të dhe shek. 8-të. Kjo është koha, kur tashmë librat e Dhjatës së Re ishin kanonizuar dhe ‘liria e kompetenca e arsyes njerëzore’ për të lënë gjurmë mbi tekstet e fjalës së shenjtë, të ‘frymëzimit të shenjtë’, u kufizuan rreptë”, tërheq vëmendjen Sinani në krye të botimit.

Sipas dijetarëve, Shqipëria ka qenë një kryeqendër e dorëshkrimeve ungjillore. Pasi është folur për “stoqe kodikësh” të ruajtura pranë kishave dhe manastireve, në Voskopojë ka pasur dhe kasaphanë, ku nuk dihet se sa ka qenë numri i kodikëve të dëmtuar gjatë djegies. Sipas Sinanit, përpjekjet për një inventar të kodikëve të Shqipërisë, pa ndonjë lidhje me periodizimin apo klasifikimin e tyre, janë bërë të paktën rreth një shekulli e gjysmë. Për herë të parë, një listë të pjesshme e kodikëve të Shqipërisë, thuhet në botim, janë publikuar në Paris në vitin 1886, nga studiuesi belg Pierr Batiffol, i cili, si vizitor i mitropolisë së shenjtë të Beratit, mundi të përshkruaj 16 kodikë nga më të vjetrit. Ndër të tjera, Batiffol ka pasur në dorë dhe “Kodikun e Purpurt të Beratit”, që i vuri emrin ndërkombëtar. Autori i monografisë, përmend që në vitet 1980, në AQSH u përgatit i pari inventar i kodikëve të Shqipërisë. Më pas, me studimet që kreu Theofan Popa, u themelua fondi i kodikëve, me 100 tituj të përshkruar. “Për shkak të mbajtjes nën embargo, njohja ndërkombëtare e kodikëve të Shqipërisë ka qenë mjaft e kufizuar. Deri një dekadë më parë, vetëm dy prej tyre gjendeshin në listat botërore të letërsisë së krishterë: “Codex Purpureus Beratinus” dhe “Codex Aureus Anthimi”, ose “Beratinus-1” dhe “Beratinus-2””, thekson Sinani. Por autori i monografisë së parë të kodikëve të Shqipërisë shkruan se inventari i kodikëve ende nuk është paraqitur në tërësi dhe gjerësisht për mjediset e brendshme e ndërkombëtare, sepse jashtë fondit 488 kanë mbetur ndoshta gjysma tjetër e kodikëve që gjenden në fondin e Manastirit të Shën Gjon Vladimirit, në fondin e arkipeshkvisë së Shkodrës dhe në atë të Drinopolit.

Beratinus në kujtesën e botës

Nga Joie Springer, UNESCO

E enjte, më 11 mars 2004

Për z.Rama Luan

Enjte, 11 mars 2004

I dashur koleg

I shqyrtova dokumentet që ju më dërguat për shpalljen e kodikëve Beratinus 1 dhe Beratinus 2 në regjistrin e Programit “Kujtesa e botës. Ato u përgjigjën më mirë atyre kërkesave që priteshin, por unë do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj në disa pika, që mund të përmirësohen në formulimin përfundimtar.

Në pjesën “përmbledhje” lutem të përfshini tekstualisht një paragraf që shpreh rëndësinë e këtyre kodikëve në shkallë ndërkombëtare, të cilin unë e kam lexuar në një artikull të shkruar nga prof.Shaban Sinani, i cili flet shumë qartë për këtë çështje dhe mund të ndikojë shumë për të përforcuar propozimin e Shqipërisë për nominimin:

Albania’s codices constitute e stock of world importante as dhe development of history of old biblical, liturgical andhagiographical literature. Chronogically, these codices follow one another during 13 centuries in succcession (from the 6 century to the 18 century)

Po ashtu, në pjesët 4.1, 4.2 dhe 4.3, ku flitet për epokën, përshkrimet për kodikun Beratinus-2, nuk janë mjaftueshmërisht të detajuara. Edhe një herë dëshiroj të theksoj se në artikullin e prof.Sh.Sinanit mund të gjeni të dhëna që do të shërbenin si një bazë për të shprehur vlerën e vërtetë të këtij dorëshkrimi. Me këto përshtatje e plotësime të vogla, dokumentacioni për shpalljen e dy kodikëve Beratinus në programin tonë do të jetë i gatshëm për t’iu shpërndarë për njohje e diskutim anëtarëve të Komitetit.

Përzemërsisht,

Joie Springer

Information Society Divisio

UNESCO

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›