E Hënë, 2 Nëntor 2026

Biznesi kërkon ulje drastike taksash në 2006

15/04/2005  Ulje të TVSH, taksave doganore dhe akcizave, biznese pa taksa në zonat e varfëra

Luftën për të ulur sa më shumë që të kenë mundësi taksat për vitin fiskal 2006, biznesi e ka filluar që tani. Mbledhja e Këshillit Konsultativ të Biznesit është shfrytëzuar nga biznesi për të bërë të njohura kërkesat e radhës. Përfaqësuesi i biznesit është prezantuar me një listë të gjatë me kërkesa, të cilat duket se janë të frymëzuara dhe nga paketa fiskale e hedhur në tregun mediatik nga KOP-i dhe që duket se i ka ardhur për mbarë biznesit vendës. Shumë nga këto propozime duken të materializuara në listën e kërkesave për 2006-ën dhe shpallen në zyrën e ministrit të Ekonomisë vetëm pak kohë përpara zgjedhjeve. “Ne kërkojmë uljen e presionit fiskal, me qëllimin e vetëm, rritjen e të ardhurave për arkën e shtetit dhe zgjerimin e bazës së tatueshme”, ka deklaruar përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë, Gani Buka. Biznesi ka prezantuar dy alternativa të mundshme të reduktimit të TVSH–së. Varianti i parë ka të bëjë me shkallëzimin në tre nivele të TVSH-së, duke filluar nga niveli zero deri në 20 për qind. Kështu është kërkuar që mallrat e eksportit ta kenë TVSH–në zero, produktet e konsumit 12 për qind dhe të gjithë të tjerat 20 për qind. Alternativa e dytë e propozuar nga biznesi, është reduktimi nga 20 në 15 për qind të TVSH–së. “Ne kemi prezantuar dy alternativa për uljen e TVSH–së dhe jemi të gatshëm të negociojmë me qeverinë, që të marrë parasyh një prej alternativave në paketën fiskale 2006”, ka thënë Gani Buka, përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë në Mbledhjen e Këshillit të Biznesit. Biznesi nuk ka patur vetëm problemin e TVSH–së. Duke ndaluar në sektorin e doganve, është bërë e ditur se në 2006-ën pritet një njehësim i tarifave doganore të lëndëve të para me produkte e gatshme. Kërkesa në paketën fiskale ka patur dhe përsa i takon akcizës së produkteve të prodhuara në vend dhe që importohen njëkohësisht. “Ne kërkojmë heqjen e akcizës për lëngjet e frutave, pijet alkoolike dhe për cigaret e prodhuara në vend”, ka deklaruar Gani Buka. Si çdo vit, biznesi ka patur propozime jo vetëm përsa i takon taksave, por dhe ndryshimet e nevojshme në legjislacion, me qëllimin e lehtësirave proceduriale. Kështu, pranimi i bilancit pa asnjë kusht, për të bërë të mundur përcaktimin e saktë të tatimit të parapaguar, është një prej kërkesave për 2006-ën. Gjithashtu është kërkuar që tatim-fitimi të paguhet një herë në katër muaj dhe bizneseve t’u njihet 100 për 100 shpenzimi për interesat e huasë. Grupi i biznesit ka kërkuar që qeveria, kushdo qoftë ajo, në vitin në vazhdim të shikojë me prioritet dhe të vendosë lehtësira fiskale për biznese që operojnë në zonat e varfëra, duke i lehtësuar në taksat si TVSH, apo taksat doganore. “Kjo do të jepte impakte pozitive në hapjen e vendeve të punës dhe do të ndalte emigracionin e këtyre zonave”, ka thënë gjatë prezantimit Gani Buka. Kështu, duket se biznesi e bëri hapin e vet dhe ka gjetur kohën më të përshtatshme për të kërkuar ulje taksash në derën e qeverisë. Fushata elektorale, e cila si gjithmonë shoqërohet dhe me premtime, duket se ka në plan të parë biznesin, i cili është shumë i qartë në kërkesat e veta.

Kërkesat e biznesit për 2006

Alternativa I Shkallëzim TVSH–je

Produkte eksporti 0%

Produkte konsumi 12%

Produkte të tjera 20%

Alternativa II Ulje e TVSH-së 20% - 15%

Njehësim i taksave doganore

Lëndë e parë me mall të gatshëm

Ulje e akcizës për lëngjet e frutrave, pijet

dhe cigaret e vendit

Heqjen e pagimit të TVSH–së në pikat kufitare

Njohje e pagimit të interesave të kredive

Propozimet e KOP-it për 2006

Ulje graduale e TVSH-së nga 20 në 17%

Ulje në masën 15% në një fazë të dytë

Rritje personave të tatueshëm deri në 20 mijë

Kreditim automatik të TVSH–së

Thjeshtim i akcizës së mallrave të akcizueshëm

Prezantim i shkallëve specifike të afërta me 30–40%

Mrojtje relative e prodhuesve vendës me taksat doganore

Harmonim i taksave doganore me vendet e Rajonit

Heqjen e detyrimit për pagim detyrimi në pikat kufitare

Konkurrenca me Paketa Fiskale

Prezantimi para pak kohësh i alternativave fiskale nga ana e KOP-it, hapi një debat të madh publik në lidhje me mundësitë për të realizuar paketën fiskale të propozuar prej tyre. Duket se KOP-i ka frymëzuar biznesin të kërkojë atë që duhet dhe në momentin e duhur. Ndryshe nga një vit më pare, kur paketa fiskale filloi të diskutohej në qershor, këtë vit ka filluar që në prill. Biznesi është i ndërgjegjshëm se ky është momenti i artë për t’i kërkuar diçka qeverisë, që e ndodhur në fushatë elektorale ka të ngjarë të tolerojë. Kështu, në rast se do të jetë sërish në pushtet, biznesi do të ketë premtimin e marrë. Nga ana tjetër, në rast se në pushtet do të jetë opozita e sotme, premtimin për ulje taksash mund ta quajë të marrë. Jo fare rastësisht, kërkesat e biznesit ngjajnë shumë me ato që ka propozuar KOP-i në paketën e vet fiskale. Masa e uljes së TVSH–së, mënyra e trajtimit të akcizave, taksat doganore në mbrojtje të prodhimit vendës, deri te heqja e disa taksave në kufi për të ndalur korrupsionin e zyrtarëve, janë jo vetëm në Paketën e propozuar nga KOP-I, por dhe në listën e re të kërkesave të biznesit. Kështu, ky pritet të jetë viti me debatin më të fortë fiskal dhe biznesi ka shpresën se disa nga kërkesat e vjetra dhe historike, kanë shansin për t’u realizuar.

Guidë eksporti, gjithë udhëzimet për eksportuesit

Agjencia e Nxitjes së Eksporteve, në bashkëpunim me Projektin CARDS, ka përgatitur Guidën e Eksporteve, duke vënë në shërbim të kompanive eksportuesve të gjithë metodologjinë e nevojshme për të përfunduar një eksport. Bazat e eksportit, kur plotëson kriteret për të eksportuar, kërkesat themelore që duhen plotësuar e deri te mënyrat e transportit dhe të pagesave, janë të përshkruara në Guidën e Eksportit. Por, ajo që u kërkua në Këshillin Konsultativ të biznesit, më shumë se një prezantim i Guidës, ishte përkrahja që qeveria duhet t’i japë kompanive eksportuese. Asistentët e huaj, brenda programit CARDS kanë prezantuar katër variante, mes të cilave qeveria duhet të zgjidhë për të mbështetur ose jo sektorin e eksporteve. Kështu varianti i parë lejon qeverinë të mos përfshihet në politika mbështetëse dhe të lëshojë gjithçka në duar të tregut të eksportit, për të pëcaktuar kriteret e konkurrueshmërisë. Ky është dhe varianti me koston më të ulët. Varianti i dytë është formalizimi i disa segmenteve, të cilat do të fitojnë të drejtën të merren me çështjet e eksportit, duke njohur tregjet. Varianti i tretë i kërkon qeverisë të ndërhyjë në tregun e eksporteve, duke monitoruar dhe mbështetur financiarisht aktivitetin tregtar, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me biznesin. Varianti i fundit, që është dhe më i shtrenjti për xhepin e qeverisë, kërkon nga kjo e fundit të ngrejë institucione të specializuara, duke i financuar vetë për të ndihmuar bizneset të bëhen të konkurrueshme në tregjet e huaja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›