Carmen Kass i futet politikës
15/04/2005 Supermodelja Carmen Kass ka vendosur t’i futet politikës. Në fakt, ajo ka hedhur kandidaturën për zgjedhjet e parlamentit evropian qershorin e ardhshëm, me partinë e moderuar Res Publica, e udhëhequr nga Kryeministri i Estonisë, Juhan Parts. Duke i lënë për pak kohë pas dore pasarelat botërore, supermodelja 25-vjeçare nga Talini po përgatitet të bëjë sfilatën e saj përgjatë korridoreve të pushtetit. “Puna dhe konkurrenca janë dy anë të rëndësishme në biznes, ashtu si dhe në politikë”, ka thënë për agjencinë Reuters përfaqësuesi i partisë, Siim Mannik. “Carmen ka arritur majat në fushën e saj dhe kjo do t’i mundësojë të miratohet dhe vetërealizohet edhe në arenën politike”. E zbuluar nga një zbulues italian talentesh, në një qendër dyqanesh në Talin, vetëm në moshën 14-vjeçare, Carmen u shpërngul në Milano për të provuar fatin në industrinë e modës, kundër vullnetit të nënës së vet. Ka punuar për shtëpitë më të famshme të modës dhe, vitin e kaluar ka fituar një shumë, që thonë se vërtitet te 5 milionë dollarët.