E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pro Credit” rrit interesat e depozitave në dollar

15/04/2005  “Pro Credit” ka rritur me 0.4 pikë interesat e depozitave në dollarë. Duke filluar nga 14 prill, klientët e “Pro Credit” mund të përfitojnë nga interesat e reja, që duket se kanë ndryshuar vetëm për sa i takon depozitave në dollarë. Kështu, banka do të japë të njëjtat interesa për ata që duan të depozitojnë paratë në llogaritë e saj, por ofron interesa më të larta për sa i takon depozitave në dollarë. “Pro Credit” bëhet banka e katërt që po rrit interesat e depozitave në dollarë, duke kthyer interesin e klientëve nga depozitat në lekë në ato në valutë. Tashmë në tregun bankar, interesat e depozitave në valutë janë të barazuara dhe euro nuk konkurron më dollarin. Madje, mund të thuhet se dollari është fitues në depozitat me maturim njëvjetor dhe 24-mujor, duke bërë që klientët të mos mendohen dy herë. Vendimi i fundit i Rezervës Federale për rritjen e normave të interesit, ka ndikuar në vendimin e shumë bankave të nivelit të dytë, për të rritur automatikisht depozitat në dollarë. Fillimisht, “Raiffesien Bank” dhe më pas Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Banka Popullore, kanë rritur normat e interesit, duke bërë që në tregun bankar të ketë një rivalitet të vërtetë, për sa i takon depozitave. Tashmë, klientët mund të zgjedhin mes interesave të depozitave në valutë dhe atyre në monedhën vendëse. Në këtë moment, duket se vendimet e Bankës së Shqipërisë janë duke shtyrë klientët e bankave të nivelit të dytë të zgjedhin depozitat në valutë. Në fillim të 2005-ës, Banka e Shqipërisë e pranoi se një nga prioritetet e saj do të ishte ndryshimi i raporteve mes depozitave në valutë dhe në lekë, ku këto të fundit ishin gjithnjë fituese. Gjithsesi të dhënat e fundit të BSH-së tregojnë se raportet janë duke ndryshuar. Kështu, në Raportin e Bilancit të Pagesave për 2004-ën bëhej e ditur se, depozitat me afat të individëve në monedhën vendëse kanë qenë rreth 210 milionë lekë, ndërkohë që në valutë depozitat me afat kanë qenë rreth 67 milionë lekë, ose një e treta e depozitave në valutë. Por duket se bizneset nuk reagojnë njëlloj si individët. I njëjti raport tregon se, biznesi preferon llogaritë në euro ose në dollarë. Kështu, depozitat me afat në lekë të sektorit privat kanë qenë rreth 4 milionë lekë, ndërkohë që depozitat me afat në valutë të konvertuara në lekë përbëjnë 4.6 milionë lekë.

Nga viti 2001 e deri më sot, normat e interesit të depozitave në euro kanë qenë më të mëdha se normat e interesit të depozitave në dollarë, që do të thotë se kanë qenë më të preferuara nga ana e klientëve të bankave. Por ky raport i 2001-shit, tashmë është i përmbysur. Ndërsa normat e depozitave 1 deri në gjashtëmujore janë më të larta për euron, kur vjen fjala për maturimet 1-vjetore dhe 24-mujore, dollari është fitues. Duket se nivelin më të lartë të depozitave e përbëjnë ato me maturim njëvjetor, çka do të thotë se, tashmë klientët janë të interesuar më shumë për depozitat në dollarë. Me rritjen e normave të interesit të dollarit nga ana e FED-it, tani e tutje pritet që tregu të ndryshojë. Meqë dollari tani ofron norma interesi më të larta se sa euro, depozitat në dollarë pritet të jenë më atraktive.

Lekë

1 mujore 4.10%

3 mujore 4.20%

6 mujore 5.10%

1 vjetore 5.70%

Dollar

1 mujore 1.90%

3 mujore 2.10%

6 mujore 2.30 %

12 mujore 2.80%

Euro

1 mujore 1.80%

3 mujore 1.85%

6 mujore 2.00%

12 mujore 2.10%

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›