Berberi: Kukësin se trembin emrat, do të jetë në superligë
“Nuk jemi më një fushë ku ekipet se merrnin mundimin të vinin. Synojmë elitën falë mbështetjes së presidencës, bashkisë dhe tifozëve që na ndjekin kudo.
Shahin Berberi është njeriu që po e udhëheq Kukësin drejt suksesve të njëpasnjëshme. Ish-mbrojtësi i Partizanit dhe i ekipit kombëtar, prej një sezoni e gjysmë drejton ekipin verior dhe, pasi fitoi sezonin që shkoi titullin kampion në kategorinë e dytë, tashmë kërkon ta ngjitë atë në superligë. Ky do të ishte realizimi i ëndrrës më të madhe të sportdashësve kuksianë. Ai thotë se në Kukës ka ndryshuar gjithçka për mirë dhe ekipi meriton të jetë në elitën e futbollit shqiptar:
“Ndryshe nga sa ndodhte më parë, kur ekipet nuk vinin në Kukës për shkak të largësisë, tani nuk ka asnjë pengesë, sepse kushtet këtu janë nga më të mirat. Ekipi dhe infrastruktura janë model. Kemi marrë futbollistë me përvojë nga kryeqyteti, që më parë nuk pranonin të vinin në Kukës. Kemi një ekip dinjitoz për kategorinë e parë, që luan si i barabartë me emra të mëdhenj, si Besa, Elbasani, Luftëtari, Lushnja, Besëlidhja etj.
Madje synojmë superligën, sepse kemi një kontigjent që e njeh kategorinë e më të mirëve. Kukësi është ekip solid, me ambicie dhe me lojtarë profesionistë. Kam fituar trofe, kur luaja me Partizanin, ndaj dua që ekipit që drejtoj ti injektoj mendësinë e fituesit. Pra, nuk dua që Kukësi të kënaqet me pak. Me punë them se do t’ia arrijmë qëllimit, ka theksuar ekskluzivisht për “Sportin shqiptar” trajneri Berberi.
Mbështetja: “Kemi një mbështetje të madhe financiare dhe korrektesë në këtë aspekt. Janë një grup biznesmenësh, të kryesuar nga presidenti Ramë Geci, që veç mbështetjes financiare, i kanë dhënë edhe mbështetje morale ekipit. Ata janë pranë ekipit në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë. Në Kukës, falë iniciativës së këtyre njerëzve seriozë, futbolli është bërë temë e ditës. Kjo bën që edhe ekipi të ndihet ngrohtë.
Projekti është afatgjatë dhe kemi në vëmendje edhe futbollistët vendas. Krahas futbollistëve me eksperiecë që kanë qenë dhe janë në ekip, lojtarë nga U-19-a janë afruar dhe aktivizuar në kategorinë e parë.”
Elbasani: “I kemi harruar ndeshjet që kemi zhvilluar deri më tani dhe qysh në fillim të kësaj jave mendojmë për Elbasanin. Lojtarët kanë treguar angazhim maksimal në stërvitje dhe kjo më bën optimist që edhe atje të shkojmë për fitore. Do të luajmë si të barabarë, pavrësisht traditës së Elbasanit. Jam i bindur që do të tregojmë ambiciet tona dhe do të marrim rezultat pozitiv.”
Tifozët: “Doja të thoja se janë pa dyshim një faktor pozitiv. Na mbështesin në ndeshje zyrtare dhe stërvitje, ndaj që Kukësi është sot në vendet e para, ka meritë të padiskutueshme edhe publiku i zjarrtë kuksian.
