Gava: Elbasani nuk qan, sheh vetëm përpara
Mesfushori Orgest Gava shpreh bindjen se ekipi i tij do të reagojë sot në kupë ndaj Dinamos
Në kampin verdheblu po mundohen ta harrojnë humbjen në Lushnjë, sepse nuk ka kohë për të vajtuar. Të shtunën vjen Kukësi në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, një ekip që po paraqitet mjaft mirë deri tani, kështu që Elbasani duhet ti bëjë mirë llogaritë.
Kupa Por para Kukësit është ndeshja e kupës me Dinamon, që do të luhet sot në kryeqytet. Verdheblutë e drejtuar nga dyshja File-Dosti kanë bërë dje seancën e fundit stërvitore në kompleksin Shefqet Lamçja dhe sot do të nisen për në Tiranë me qëllimin për ta fituar ndeshjen me blutë, pasi e vlerësojnë maksimalisht edhe këtë kompeticion.
Elbasani humbi me Vllazninë ndeshjen e parë në grup, ndërsa sot ka rastin të marrë 3 pikët, duke përfituar nga gjendja e Dinamos. Mesfushori verdheblu dhe i kombëtares U-21, Orgest Gava, thotë se për Sporti shqiptar se Elbasani do të kërkojë vetëm fitoren: Ndeshjen me Dinamon e kemi vlerësuar maksimalisht, sepse kundërshtari të imponon respekt, pavarësisht gjendjes që po kalon për momentin. Synimet i kemi të qarta dhe do të futemi në fushë vetëm për fitore, në mënyrë që të sigurojmë tripikëshin e parë në kupë.
Kampionati Titullari i formacionit elbasanas, Gava, thekson se paraqitja e dobët e Lushnjës është lënë pas dhe Elbasani sheh vetëm përpara: Nuk ka kuptim që të mendojmë ende për ndeshjen me Lushnjën, nga e cila sigurisht që duhen nxjerrë konkluzionet e duhura. E kemi harruar atë humbje të thellë dhe mendojmë fillimisht për Dinamon e më pas për Kukësin. Duhet të shohim përpara dhe të kthehemi sa me shpejt te fitorja. Në fundjavë presim Kukësin në fushën tonë, ku jemi të pagabueshëm, ka përfunduar mesfushori Gava.
Endri Dalipi mungon ndaj Dinamos
Trajneri Ilirian File duhet ti bëjë llogaritë pa mesfushorin organizator Endri Dalipi, i cili ka pësuar një dëmtin në Lushnjë, ku verdheblutë humbën 3-0. Dalipi është stërvitur i veçuar nga pjesa tjetër e grupit dhe trajneri File nuk ka dashur të rrezikojë dhe nuk e ka përfshirë në planet e tij për ndeshjen e sotme. Një lajm i mirë për numrin 1të stolit verdheblu është bashkimi me grupin i mesfushorit tjetër, Egert Kuçi, i cili pritet të aktivizohet në ndeshjen e kampionatit me Kukësin.
