E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Të hapur ndaj propozimit të Ban Ki Moon

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas konsultimeve dhe në pajtim me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.

Në letrën e tij ai shpreh gatishmërinë për të qenë të hapur ndaj propozimit të bërë

nga Ban Ki Moon. "Ne kuptojmë që OKB-ja do të vazhdojë të kryejë, për një kohë të kufizuar, funksione të zbatimit të ligjit, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, deri në kohën kur Bashkimi Evropian të mund ta kryejë rolin e vet operativ".

Në letrën e dërguar, Sejdiu ofron gatishmërinë e institucioneve qendrore për të qenë të hapur ndaj propozimit të fundit të zotit Ban për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë.

"Vlerësojmë zotimin tuaj për t'u konsultuar ngushtë me ne, pasi që veprime të tilla nuk janë të mundshme pa pjesëmarrjen dhe aprovimin e Qeverisë së Kosovës", thuhet në letrën e presidentit, e cila është bërë publike nga vetë kabineti i tij.

Sipas Sejdiut, stabiliteti do të vijë përmes zhvillimit të një shoqërie multietnike që qeveris në mënyrë demokratike.

Letra e Ban Ki Moon është dërguar më 13 qershor në adresë të presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Në të ishte plani për rikonfigurimin e mandatit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›