Grevistët: Nesër, me çadra përpara kryeministrisë
Shtatë grevistët e Gërdecit paralajmëruan sot kryeministrin Sali Berisha se nëse ata nuk marrin deri nesër një përgjigje për kërkesat e bëra publike që prej 12 ditësh, do të zhvendosin grevën para kryeministrisë.
“Ne jemi në grevë urie prej 12 ditësh tashmë, vetëm pak larg kryeministrit dhe ai na ka injoruar, nuk ka denjuar në asnjë moment të dëgjojë kërkesat tona, ndaj po i japim kohë edhe 24 orë të tjera. Nëse deri nesër në 13.00 nuk ka përgjigje ne do ta vazhdojmë grevën e urisë para zyrave të tij”, tha sot Andi Belliu, përfaqësues i grevistëve.
Shoqëria civile e ka cilësuar këtë një grevë që nuk i përket vetëm 144 ish punëtorëve të Gërdecit, që kanë firmosur për kërkesat, por është një cështje që i përket të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për t’i treguar pushtetit se dosja e Gërdecit nuk mund dhe nuk duhet të mbyllet derisa drejtësia të vihet në vend.
Grevistët kanë deklaruar se nuk do të dalin gjallë, pa iu plotësuar kërkesat. “Doja të futesha në grevë së bashku me tim shoq, por jam me fëmijë të vogël, që ka ende në trup shenjat e djegies nga tragjedia. Po përjetojmë tragjedinë e dytë, pas 15 marsit, atë të injorimit nga qeveria”- tha një nga ish punëtoret e Gërdecit.
Greva e urisë u ndërpre për pak orë, kur grevistët lanë apartamentin në Vorë dhe u transportuan në Spitalin “Nënë Tereza”, ku morën mjekim, pasi gjendja e tyre shëndetesore ishte përkeqësuar tepër. Më pas iu rikthyen sërish grevës, tëvendosur të qëndrojnë deri në fund.