E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha - Triet: “Pavarësia e Kosovës, jo ndëshkim për Serbinë”

Autori i Lajmit: red.

Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në një vizitë disaditore në Kinë, në kuadrin e Lojërave Olimpike "Pekin 2008", zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës Socialiste të Vietnamit, Ngujen Min Triet. Berisha i shprehu presidentit Triet kënaqësinë që marrëdhëniet miqësore midis dy popujve dhe dy qeverive po njohin një nivel të ri bashkëpunimi dhe po ripërtërihen me një panoramë të re vlerësimi të ndërsjellë. Kryeministri shqiptar e siguroi Presidentin vietnamez se do të bëjë të gjitha përpjekjet për të zgjeruar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy popujve dhe të dy kombeve, veçanërisht në fusha zhvillimi me rëndësi për të dy vendet si në ekonomi, politikë, kulturë, etj. Dy personalitetet e larta u shprehën se Vietnami dhe Shqipëria janë dy vende mike dhe se ka një kënaqësi të sinqertë për progresin e madh ekonomik që këto dy vende kanë njohur në vitet e fundit. Presidenti Triet shprehu vlerësimin e tij më të lartë për arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat e zhvillimit dhe kërkoi nga Berisha që bashkëpunimi të jetë sa më i gjerë, veçanërisht në fushën ekonomike. Lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve, kreu i qeverisë u shpreh se qeveria shqiptare po vlerëson mundësinë e hapjes së Misionit Diplomatik në Hanoi, me qëllim ngritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve në nivelin më të lartë. Berisha e njohu Presidentin me zhvillimet në rajon, duke u ndalur në stadin e ri të paqes, stabilitetit dhe frymës integruese që Ballkani po jeton. Biseda u përqendrua veçanërisht në pavarësinë e Kosovës, ku Kryeministri njohu Presidentin Triet me progresin e shtetit të ri, të njohur në një kohë të shkurtër nga 44 vende, të cilat, vijoi Kryeministri, nuk e kanë njohur atë për të ndëshkuar Serbinë, por sepse kanë parë tek pavarësia e Kosovës bindjen se kjo është mënyra e vetme për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ai theksoi se Kosova sheh drejt integrimit dhe marrëdhënieve rajonale me një optimizëm të ri.
Ky lajm është publikuar: 09/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›