E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: “Kthehuni në zyrat tuaja, nuk ju paguan kot populli”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi pezullimin nga detyra të rektorit të Universitetit Ismail Qemali në Vlorë, i cili gati dy javë më parë propozoi ndryshimin e emrit të këtij institucioni të arsimit të lartë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, duke e cilësuar Ismail Qemalin një figurë kombëtare të shkëlqyer dhe krenari e kombit, tha në një konferencë për shtyp se "qeveria duhet ta ndalë menjëherë këtë sulm antikombëtar të ndërmarrë nga një rektor i papërgjegjshëm". Qeveria, vijoi ai, duhet ta pezullojë atë, në mënyrë që Universiteti i Vlorës të mos shndërrohet në një institucion arsimor që kultivon hapur, me anë të veprimeve të tij, ndjenja antikombëtare. LSI, sipas Vasilit, është e shqetësuar dhe për mungesën e krerëve të shtetit nëpër zyra. “Shqipëria ndodhet pa drejtim shtetëror, pasi krerët më të lartë të vendit ndodhen jashtë vendit”, - tha ai. Vasili shtoi me tej duke thënë se “sot Shqipëria ndodhet pa drejtim shtetëror, sepse krerët më të lartë të shtetit shqiptar kanë zgjedhur ta lënë atë në dorë të zotit duke qenë jashtë vendit që të gjithë. Moskordinimi, papërgjegjshmëria dhe mungesa e pashembullt e seriozitetit e ka lënë vendin pa asnjë pikë referimi kushtetuese shtetërore. Ju kujtojmë zotërinjve që kanë marrë përsipër të qeverisin këtë vend se duhet t u kthehen sa më parë zyrave të tyre, të cilat i kanë braktisur prej kohësh se populli nuk i ka zgjedhur dhe nuk i paguan “sa frëngu pulën” që të flladiten të gjithë bashkë rrugëve të botës, se është Shqipëria ajo për të cilën duhet të përgjigjen. Indiferenca, moskokëçarja, shkoordinimi dhe thyerja e përbuzja flagrante e protokollit të shtetit nga drejtuesit më të lartë të tij janë vërtet shumë shqetësuese, gjithashtu edhe karshilleku arrogant reciprok që i bëjnë njëri-tjetrit, është provë e qartë e mungesës së plotë të sinkronizmit politik dhe të bashkëpunimit shtetëror në nivelet më të larta të shtetit shqiptar”. Sekretari i LSI, për sa i përket çështjes së heqjes së emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës, ka nënvizuar se “pikërisht ky mosinteresim i plotë për gjithçka që ndodh në këtë vend, bën që të mos ndalet ofensiva e turpshme e ndërmarrë ndaj figurave kombëtare të shkëlqyera dhe që janë krenaria e këtij kombi, siç është heqja e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës. Kryeministri Berisha, zv/kryeministri, ish- ministër i arsimit dhe ministri aktual i arsimit vazhdojnë të sillen me papërgjegjshmëri të plotë duke luajtur indiferentin, a thua se bëhet fjalë për një figurë historike diku larg mijëra kilometra tutje Shqipërisë e jo për një nga figurat si Ismail Qemali që me emrin e veprën e tij të paçmueshme patriotike ka bërë të ndihet mirë çdo shqiptar. Këta drejtues të lartë shtetërorë mund dhe duhet të mësojnë shumë nga Ismail Qemali i madh se si duhet Shqipëria dhe se si mund të sakrifikohet gjithçka për të, ashtu siç bëri edhe vetë ai për pavarësisnë e Shqipërisë. Qeveria duhet të ndalë menjëherë këtë sulm antikombetar të ndërmarrë nga një rektor i papërgjegjshëm për të cilin Shqipëria është një vend i huaj dhe ta pezullojë atë urgjentisht për të mos e shndërruar universitetin “Ismali Qemali” në Vlorë në një institucion arsimor që kultivon hapur me anë të veprimeve të rektorit të gabuar të tij, ndjenja të rrezikshme antikombëtare”, - përfundoi ai në një dalje publike.
Ky lajm është publikuar: 09/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›