E Diel, 1 Nëntor 2026

George Herbert Bush bën paqe me Berishën, shtrëngojnë dorën në Kinë

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha, kanë marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao, për 101 kryetarët e shteteve dhe qeverive nga mbarë bota, të ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Pekin 2008”. Berisha u takua dhe bisedoi gjatë pritjes me një sërë personalitesh të nivelit të lartë. Kreu i Qeverisë shqiptare u takua me Presidentin e SHBA-së, Xhorxh Bush dhe zonjën Laura Bush, të cilin e falënderoi për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Presidenti Bush u interesua për Shqipërinë, ndërkohë që në një gjest miqësor ai paraqiti si mik kryeministrin Berisha tek Presidenti i Brazilit, Lula, dhe Presidentja e Filipineve, Gloria Arrojo. Gjatë pritjes, Kryeministri takoi mikun e vjetër të tij dhe për mbarë shqiptarët, Xhorxh Herbert Bush, Presidentin e 41-të të SHBA-ve, i cili vlerësoi kryeministrin Berisha për të gjitha ndryshimet e mëdha që po përjeton Shqipëria, si dhe i përcolli atij falënderimet për ndjenjat miqësore dhe dashurinë që shqiptarët i dëshmuan presidentit Xhorxh Bush në vizitën e tij në Tiranë, në qershor të vitit 2007. Berisha u takua dhe me Presidentin francez, Nikola Sarkozi, me Presidentin e Brazilit, Lula, dhe bisedoi me Kryeministrin e Japonisë, Fukuda. Kreu i qeverisë shqiptare i shprehu Kryeministrit japonez mirënjohjen për përkrahjen ekonomike për zhvillimin dhe modernizimin e vendit tonë, si mbështetja me një kredi prej 110 milionë dollarësh të projektit të ujërave dhe kanalizimeve të Tiranës, si dhe në tërësi për mbështetjen e projekteve të ndryshme në shëndetësi, zhvillim rural, arsim etj. Kryeministri Fukuda u shpreh se do të ndjekë me interes ecurinë e projekteve në kuadër të ndihmës për Shqipërinë.

Ky lajm është publikuar: 09/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›