E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha- Al Thani, nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik

Kryeministri në Katar, merr mbështetjen për shfrytëzimin e gazit të lëngshëm në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i Katarit, Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani asistuan në nënshkrimin e Marrëveshjes dypalëshe për Bashkëpunimin Ekonomik, Tregtar dhe Teknik, të nënshkruar nga Ministri i Financave Ridvan Bode dhe homologu i tij i Katarit. Duke inkurajuar investitorët e Katarit për të investuar në Shqipëri, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që kompanitë e Katarit, që punojnë në fushën e turizmit në Shqipëri, po progresojnë shumë shpejtë dhe kompani të tjera janë të mirëpritura për të investuar në turizëm, energji dhe fusha të tjera. Ne, vendosëm synime për disa marrëveshje të tjera, që do të nënshkruhen në Tiranë, dhe të krijojmë të gjithë infrastrukturën ligjore për bashkëpunimin midis dy vendeve tona, u shpreh kreu i qeverisë, i cili veçoi interesimin për investitorët e Katarit në Shqipëri. Zyra e shtypit të kryeministrit bën të ditur se Berisha u ndal në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë sa më tërheqëse për investimet vendase e të huaja. Biznesmenët e Katarit, janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri dhe kanë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, në mënyrë që investimi i tyre të jetë një histori suksesi. Unë do të jem i lumtur, që të shoh kompanitë nga Katari të investojnë në vendin tim, për të zhvilluar potencialet e mëdha në fusha të ndryshme, u shpreh Berisha. Në takim, të dy personalitetet e larta diskutuan për dy aspekte shumë kryesore për sa i përket krijimit të një baze për investitorët; nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e regjimit të vizave dhe nënshkrimi i marrëveshjes për taksimin e dyfishtë. Ata ndanë të njëjtin mendim se këto dy marrëveshje i hapin rrugën investimeve të Katarit në Shqipëri.
Katari premton mbështetje për shfrytëzimin e gazit të lëngshëm në Shqipëri
Të dy homologët u ndalën veçanërisht në projektin e madh të gazifikatorit dhe projekte të shfrytëzimit të gazit të lëngshëm dhe depozitave të gazit në Shqipëri. Kryeministri i Katarit shpreh mbështetjen e qeverisë së tij për projektin e gazifikatorit të Fierit, dhe theksoi se do të nxiste dhe organizonte takime konkrete për sa i përket këtij projekti madhor dhe projekteve të tjera të shfrytëzimit të gazit në Shqipëri. Ndërsa nga ana e tij, kryeministri Berisha shprehu interesin e Shqipërisë veçanërisht për investime në shfrytëzimin dhe përpunimin e gazit të lëngshëm. Në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se do të ishte tepër e vlefshme shkëmbimi i vizitave në nivel ministrash dhe të ekipeve të ekspertëve për të vlerësuar më mirë projektet në këtë fushë, duke marrë edhe mbështetjen e Emirit të Katarit. "Shqipëria, është një vend me potenciale të mëdha, me një pozitë të admirueshme gjeografike dhe përballë një tregu shumë të madh, përballë një tregu të madh si ai europian", u shpreh kreu i qeverisë Berisha, ku u ndal edhe tek investimi në infrastrukturë. Kryeministri i Katarit, Al Thani, u shpreh se investime të mëdha kanë filluar në Shqipëri në fushën e turizmit, ku një kompani e fuqishme e Katarit po bën një investim gjigand në një zonë turistike dhe po ecën mjaft mirë me këtë projekt. Jam në dijeni të angazhimit që keni ndërmarrë ju dhe qeveria që ju drejtoni për investimin e madh të buxhetit tuaj në infrastrukturë, pasi infrastruktura është baza më e mirë për çdo zhvillim tjetër, theksoi kryeministri i Katarit, i cili u shpreh i lumtur që takohej me Kryeministrin e Shqipërisë Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›