Ndoka akuzon qeverinë për pandjeshmëri ndaj grevistëve në Shkodër
Grevistët e urisë të shoqatës 9 Janari janë vizituar nga kreu i PDK- së, Nard Ndoka, i cili e ka quajtur rast të pa precedent këtë mos dialog të përfaqësuesve të shtetit dhe veçanërisht të qeverisë me grevistët e urisë. Na vjen keq që qeveria shqiptare ka humbur në një farë mënyre ndjesinë njerëzore, duke mos ardhur asnjë prej anëtarëve të kabinetit. Ne gjithsesi do të bëjmë të pamundurën që zërin dhe shqetësimin e tyre të paktën ta çojmë në institucionet e shtetit shqiptar, u shpreh Ndoka.
Tashmë po shkojnë 12 ditë, dhe nuk ka asnjë lloj tratative për të nxjerrë grevistët e urisë të shoqatës 9 Janari nga greva e urisë që po bëjnë në Shkodër. Në fakt kushtet e tyre shëndetësore po acarohen, por edhe qetësia e atyre që duhet të përgjigjen në një farë mënyre po acaron këto grevistë dhe kësaj lufte në distancë opinioni publik po i përgjigjet me interes pa pasur në dorë ndonjë gjë të madhe, përveç solidaritetit. Ditën e djeshme, një tjetër grevist është shtruar në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Edhe pse i shtruar në spital, Ndue Zajeti ka theksuar se nuk do të braktisë grevën e tij që bëhet për të birin e humbur. Mua po më mbajnë shëndetin, por unë kam ardhur për një qëllim këtu dhe përgjigje pres nga Presidenti i Republikës si Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atëherë do të shërohem dhe do të dal jashtë, u shpreh grevisti Zajeti. Gjithsesi grevistët kërkojnë kryesisht mbetjet e trupave të fëmijëve dhe zbardhjen e faktorit gomone e dytë që modifikon dhe nxjerr në dritë të plotë të gjithë ngjarjen e pa zbardhur qartë deri më tani. Një mbështetje e fortë e këtyre grevistëve ka ardhur edhe nga podiumi i parlamentit, nëpërmjet deputetit Bushati, i cili gjatë fjalës së tij kërkoi angazhim maksimal për zbardhjen e fajtorëve dhe përmendi gjithashtu edhe kërkesat kryesore të këtyre grevistëve i cili kërkoni nga prokuroria e përgjithshme hapjen e çështjes 9 Janari. Ai i bëri thirrje të drejtpërdrejtë prokurores së përgjithshme, që të gjejë kohë për hapjen e kësaj çështjeje. Familjarët kanë besim tek ky parlament, sepse besojnë se mund të thërriten prokurorët e përgjithshëm, theksoi ai, duke i bërë thirrje edhe kolegëve deputetë, që të bëhen mbështetës së zbardhjes së kësaj tragjedie. Sipas tij gjykata duhet të marrë parasysh gjendjen dhe të marrë përsipër për hetimin e shkaqeve dhe lënies në duar të fatit nga strukturat e larta të shtetit.