Rama: Tirana, model i politikës së re
Edi Rama ka hedhur sërish akuza ndaj qeverisë Berisha, duke e cilësuar atë si një politike të vjetër, jo në dobi të komunitetit. Rama tha se politika e re që do të vijë do tu shërbejë të gjithë qytetarëve, duke filluar që nga një Tiranë me një mjedis të pastër. Këto deklarata, Edi Rama i bëri gjatë mbjelljes së 30 pemëve në rrugën Vaso Pasha pranë zonës së ish- bllokut.
Politika e vjetër e politikanëve është politika e ndotjes së mjedisit, jo vetëm atij fizik, por dhe mjedisit të komunikimit shoqëror përmes lumenjve të baltës e të mllefit, sharjeve, shpifjeve e akuzave për tjetrin. Ndërsa politika e re e qytetarëve është rruga e pastrimit të komunikimit pa iu përgjigjur baltës me baltë e mllefit me mllef dhe njëkohësisht edhe rrugëve ku lëvizim përditë duke mbjellë sa më shumë pemë dhe vazhdimisht. Njerëzit janë të lodhur nga ndotja në mjedisin fizik dhe mjedisin e komunikimit, tha Rama. Nismës së bashkisë Një qytetar, një pemë i janë bashkuar dhe katër kompani të tjera private që do të mbjellin rreth 113 pemë, në katër rrugë të tjera të Tiranës.