E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Qeveria ka abuzuar me taksat e qytetarëve

Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, deklaroi se Qeveria ka shpërdoruar taksat e qytetarëve. Qeveria e Sali Berishës vazhdon të shpenzojë para publike për të treguar gjoja arritjet e saj në administrimin fiskal, u shpreh Beqja. Ai deklaroi se edhe pse jemi në 10 mars, akoma nuk janë bërë publike të dhënat zyrtare të administrimit fiskal për 12 muajt e vitit 2008. Edhe pse kaloi 1/3 e muajit mars, qeveria ende nuk ka publikuar të dhënat zyrtare të administrimit fiskal për janarin 2009. Beqja deklaroi se Partia Socialiste në mungesë të informimit të qeverisë për rezultatet fiskale në janar të 2009, i bën të ditur opinionit publik se mosrealizimet në mbledhjen e të ardhurave janë kthyer në fenomen konstant që prej nëntor 2008. Sipas tij, në janar 2009, në arkën e shtetit mungojnë 10 milionë USD nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe të ardhurat e mbledhura nga TVSH janë më të ulëta se në çdo muaj të gjysmës së dytë të 2008. Gjithashtu, sipas Beqjes mungojnë 3,6 milionë USD nga akcizat. Ai shtoi se edhe të ardhurat e mbledhura nga akciza janë më të ulëta se në çdo muaj të gjysmës së dytë të 2008. Beqja bëri të ditur se mungojnë 3,1 milionë USD nga tatimi mbi fitimin. Sipas tij, nën panikun e humbjes së pushtetit në 28 qershor 2009, qeveria e Sali Berishës ka hequr dorë dhe nga përgjegjshmëria në administrimin e shpenzimeve. Beqja theksoi se që në muajin e parë të vitit 2009, qeveria ka tejkaluar shpenzimet për pagat me 18%, për kontribute të sigurimeve shoqërore me 87 % dhe për subvencione me 14 %.Më tej, ai u ndal tek shpenzimet e rrugës Durrës-Kukës, ku siç bën të ditur Beqja, 89% kanë shkuar për këtë rrugë. Sipas tij, kjo tregon se të gjitha punët e tjera publike që Berisha hallakatet të inaugurojë nëpër Shqipëri janë të pambështetura me fonde buxhetore dhe kontratat po lidhen vetëm për qëllime elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›