Islami: Mbi 700 mijë votues rezultojnë pa pasaportë
Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami deklaroi dje se nga të dhënat zyrtare e operative rezulton se numri i votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar është mbi 700 mijë. Sipas tij, kjo shifër po vazhdon të rritet, për shkak të rritjes çdo ditë të numrit të votuesve pa pasaportë që nuk janë të përfshirë në listën zyrtare të MB dhe që strukturat po evidentojnë dita ditës.
Islami tha se nuk është mbajtur premtimi për të filluar aplikimet në të gjithë Njësitë e Gjendjes Civile. Deputeti Islami bëri të ditur se nga 331 Njësi të Gjendjes Civile kanë filluar aplikimet vetëm në 118 njësi, pra vetëm në një të tretën e tyre. Ai deklaroi se në 118 njësitë e gjendjes civile ku ka filluar aplikimi, numri i plotë i votuesve pa pasaportë që duhet të aplikojnë është 543 163. Ndërkohë që, shtoi Islami se 300159 votues pa pasaportë presin të aplikojnë në dy të tretat e njësive të Gjendjes civile që ende nuk janë hapur. Ai kujtoi se deri më sot janë bërë vetëm 224 817 aplikime, por është shumë më i vogël numri i atyre që janë pajisur me Kartë Identiteti. Më tej, deputeti Islami ngriti shqetësimet kryesore mbi ecurinë e punës në njësitë që po merren me procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. Mbeten deri në 26 Qershor edhe 77 ditë pune ndërkohë që ritmi për çdo njësi aplikimi është 30-40 aplikime në ditë, u shpreh Islami. Sipas tij, shqetësimet kryesore konsistojnë në ritmet e ulëta të hapjes së zyrave të aplikimit me dy të tretat ende të pahapura. Këto vonesa në aplikim, sipas tij vijnë për shkak të mungesës së herëpashershme të energjisë elektrike, të ndërprerjeve së lidhjes me internet. Gjithashtu, shtoi Islami kjo vjen dhe për shkak të mostrajnimit në kohë të operatorëve në disa njësi dhe mosrespektimit të orarit veçanërisht në disa prej bashkive jo kryesore si dhe faktit që oraret e aplikimit janë të papërshtatshme për votuesit që janë në punë. Së fundi, studentët nuk kanë pasur mundësinë të aplikojnë, sepse një pjesë e mirë e zyrave janë të mbyllura pas orës 15 dhe nuk punojnë të shtunë e të diel. Islami siguroi për seriozitetin e ndjekjes së këtij problemi nga ana e tyre. Sipas tij, shumë shpejt do të ketë një analizë të thellë e të plotë, së bashku me qëndrimet përkatëse në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në respekt të drejtës kushtetuese për votim dhe të kërkesave të Kodit Zgjedhor.