Braçe në Berat: Kartat, proces i dështuar qëllimisht
Gjatë një konference për shtyp të dhënë dje në mesditë në Berat, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe ka pohuar se procesi i pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit është një proces i dështuar dhe kjo nuk po ndodh për gabime njerëzore, por për shkak të problemeve të qëllimshme që po hasen në këtë proces.
Deputeti Braçe, ka theksuar se ky proces nuk po cënohet nga vullneti i qytetarëve për t'u pajisur me këto karta, por nga vetë qeveria, pasi ne dy rrethet Berat e Kuçovë rezulton se lista e personave që nuk janë të pajisur me pasaporta është shumë më e madhe se lista që ka nxjerrë Ministria e Brendshme. Në bashkinë Berat Ministria e Brendshme ka sjellë 5967 emra si persona pa pasaportë, ndërkohë që nga verifikimi që po vazhdon dhe është në proces na rezultojnë 3242 emra të tjerë që nuk gjenden në listat e Ministrisë së Brendshme, theksoi Braçe. Ndërkohë PS, konsideron si veprim të qëllimshëm të qeverisë, mungesën e emrave të personave pa pasaportë në listat e aplikimit për karta identiteti, për ti mohuar zgjedhësve të drejtën e votimit. Ndër të tjera, Brace ka shtruar edhe problemin e mungesës së operatorëve në Berat. Problemi themelor qëndron në numrin shumë të kufizuar të operatorëve, në të katër rajonet e Beratit punojnë vetëm nga 2 operatorë ku duhet të aplikojnë të paktën 10 mijë vetë, është shprehur deputeti socialist. Ashtu siç bëri gjatë fjalës së tij në seancën e të hënës në Kuvend, Brace ka hedhur akuza për qeverinë duke deklaruar se problemet teknike në proces dhe mungesa e kapaciteteve të kompanisë së përzgjedhur, janë probleme të qëllimshme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.