E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha KE-së: Në ato ndihma që na jepni, përcaktoni një pjesë të mirë për bujqësinë

Kryeministri Sali Berisha / Foto arkiv

Kryeministri Berisha i bëri apel Komisionit Europian që në ndihmat që i jep Shqipërisë të përcaktojë një pjesë për bujqësinë. Në konferencën me temë Integrimi në BE dhe biznesi, Berisha u shpreh se asnjëherë në zonat rurale të Shqipërisë nuk është investuar sa vitet e fundit.

Apeli im ndaj Komisionit Evropian është që në ato ndihma bujare që na jepni, të përcaktoni një pjesë të mirë të tyre për bujqësinë. 44 % e popullatës është rurale. E vërteta është se në zonat rurale të Shqipërisë nuk është investuar ndonjëherë sa në këtë periudhë, tha Berisha.

Kryeministri pranoi se mundësitë e qeverisë për të përkrahur financiarisht fermërët kanë qenë dhe janë modeste, por ajo do të përpiqet të nxisë rritjen përmes uljes së barrës fiskale.

Mundësitë tona për të asistuar fermerët kanë qenë dhe janë modeste. Ne do të vlerësonim mbështetjen nga Komisioni Evropian, pavarësisht se fermerët tanë, edhe pa mbështetje, po përpiqen të konkurrojnë.

Qeveria do të marrë çdo masë për të nxitur rritjen. Ata që kërkojnë të kthejnë kohën e taksave që i lamë mbrapa, ata bëjnë mullinjtë e erës. Viti që vjen do të fillojë me një barrë më të lehtë fiskale për ju, tha Berisha. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›