E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti, PD mandaton Berishën, sot takimi me Metën

Takimi i sotëm është i pari që kreu i mazhorancës Berisha zhvillon me drejtues të partive parlamentare, ndërsa në ditët në vijim pritet të ketë edhe takime të tjera.

Ndërkohë, kryesia e Partisë Demokratike u mblodh orët e pasdites së shkuar, ku ka mandatuar kryetarin e saj, Sali Berisha nënkryetarin Astrit Patozi dhe anëtarin Edmond Spaho që të nisin negociatat për kreun e ri të shtetit që nga dita e sotme. Në fjalën e tij, kryetari i PD-së, theksoi se procesi do të zhvillohet duke respektuar Kushtetutën. “Karrigia e një Presidenti është e një politikani, sigurisht sepse ky vend, ky post është një post shumë përfaqësues për vendin, brenda dhe jashtë, ka nderet dhe jo vetëm nderet e vendit. Kështu, na takon të qëndrojmë për të nderuar këtë post me një personalitet politik”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se vendi ku duhet të arrihet konsensusi për presidentin e vendit, duhet të jetë salla e Parlamentit. Berisha shtoi se ishte i gatshëm të zhvillonte negociata edhe me opozitën për të gjetur konsensus. “Negociatat kanë shansin më të madh nëse ato zhvillohen në selinë e Parlamentit.Të zgjedhim selinë e Parlamentit për konsensus. Selia e Parlamentit përveç se është institucioni kryesor i vendit, përveç se është institucioni që zgjedh Presidentin, por në mënyrë të padiskutueshme siç është normale, tjetër është salla, aula e debatit dhe tjetër është puna, teknikalitetet e komisioneve të cilat janë me një komunikim intensiv për të arritur  kur është e mundur për konsensus për ligje për vendime, për praktika të ndryshme. Kështu që, gjykoj që të përzgjedhim selinë e Parlamentit si një vend ku të zhvillohen negociatat. Të autorizojmë Kryetarin e Partisë dhe dy personalitete të Kryesisë për negociata të cilët do të mbajnë në korent në mënyrë të vazhdueshme Kryesinë e Partisë Demokratike duke theksuar se ne përfaqësojmë një proces të negociueshëm”, tha kryeministri.

Ai shtoi se detyra e tij dhe e partisë është respektimi i Kushtetutës, për t’i dhënë vendit një President legjitim. “Kushtetuta, ka germën dhe frymën shumë të qartë, personi që zgjidhet President Republike, nuk vjen nga kopshti i unitetit të kombit, se ai kopsht, nuk e njoh, unë nuk e di se ku është, po ai vjen nga vlerat  qytetare që ka të qartë se do t’i përmbahet kërkesës Kushtetuese si përfaqësues i unitetit të popullit të tij. Ai vjen nga integriteti i tij politik i cili e detyron atë i betuar në Kushtetutë t’i përmbahet betimit të tij. Ai vjen nga detyrimi para qytetarëve shqiptarë  të cilët presin që ai t’i konsiderojë ata të barabartë midis të barabartëve para ligjit”, tha më tej. Berisha tha se Presidenti i ri do të zgjidhet nga radhët e Partisë Demokratike, përderisa ata janë personalitete me suksese jo vetëm në karrierën e tyre, por edhe në qeverisje. Ai shtoi se Presidenti i ri nuk ka asnjë arsye të mos vijë nga radhët e politikës.

“Problemin e parë nuk pranoj kandidat nga Partia Demokratike, Po e shtrove kështu pastaj çfarë i konsideron këta demokratë armiq? Si ka mundësi të thuash një gjë të tillë. Megjithatë uroj që të jenë deklarata që të rishqyrtohen nga zoti Rama, të mos kemi paragjykime. Të bëjmë vlerësime konkrete reale dhe unë jam i gatshëm, ne jemi të gatshëm cilëndo lloj gare që do të dëshirojë për të nderuar. Absolutisht ne me zemër të hapur për të nderuar karrigen e kryetarit të shtetit”, vijoi.

Kreu i qeverisë, tha se Rama dhe PS-ja po e përdorin këtë moment për të bllokuar procesin e integrimit, për të bllokuar reformën elektorale dhe reformën parlamentare. “Ka rilindur në PS kulturën e bllokut. Po ka shumë të drejtë që flet për Rilindje po nuk thotë Rilindja e Bllokut. Sepse duhet të jetë i sinqertë kam të gjithë informacionin dhe duhet t’ia them zotit Rama publikisht, se disponoj çdo informacion nga bashkëpunëtorët e tij të pakënaqur, që ai ka vendosur të mos pranojë në asnjë mënyrë të përfundojë e kompletojë reformën elektorale”, u shpreh ai./S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-25 08:34
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›