Berisha- Peqin: Qeveria e angazhuar për investime të mëdha
Kryeministri Berisha ka vazhduar me premtimet e tij, këtë radhë ato kanë qenë për banorët e Peqinit, ku kryeministrit Berisha ka premtuar se mandatin e ardhshëm, çdo fshat do të lidhet me komunën nëpërmjet rrugëve të asfaltuara. Ai siguroi se qeveria është e angazhuar të realizojë investime të mëdha në të gjithë qarkun e Elbasanit. Ne jemi të vendosur që fermerëve të Peqinit dhe gjithë Shqipërisë tu ndërtojmë infrastrukturë moderne, ujësjellës dhe shkolla, theksoi Berisha.
Në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon", kreu i qeverisë është ndaluar në Peqin për të inauguruar fillimin e punimeve të rrugës Pajovë-Shesë-Pekisht-Belsh, 15 km e gjatë një investim prej 325 milion lekësh i qeverisë shqiptare. Kryeministri Berisha, duke iu drejtuar disa qindra banorëve të pranishëm tha se kjo rrugë do të ndërtohet me të gjitha standardet bashkëkohore dhe është nga më të rëndësishmet për këtë zonë me prodhimtari të zhvilluar. Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, ai ka përmendur edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ku ka theksuar se ndryshimi i të gjitha ndryshimeve është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Nga Peqini, kryeministri Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të pajisen me karta identiteti, si një parakusht për lëvizjen e lirë të qytetarëve.