E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëdhënësja e Bodes i ndalon aksesin e informacionit gazetës SOT, pasi deformoi përrallën magjike të shefit për zgjidhjen e krizës

Ditën e djeshme, zëdhënësja e ministrit të Financave, zotit Ridvan Bode, nuk ka pranuar të japë informacion për gazetarin e SOT me pretendimin se gazeta ka deformuar përrallën e zotit Ridvan për zgjidhjen e krizës. Ju e keni deformuar në mënyrë të qëllimshme përrallën brilante të shefit tim, ka thënë zëdhënësja në fjalë. Me prepotencë, kjo vajzë ka deklaruar se, ju nuk do të keni akses në informacionet e kësaj ministrie. Në fakt, kjo zëdhënëse e ka gabim pasi SOT ka akses në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, e cila është e pasur me informacione. Kjo faqe interneti furnizohet me informacione një herë në gjashtë muaj, por i ka cilësore.   Ndërkohë që përsa i përket përrallës së Bodes për zgjidhjen e krizës, gazeta SOT e publikoi të plotë dhe nëpërmjet saj kërkoi të sensibilizohej opinioni, duke e bërë detyrën e saj para qytetarëve dhe përballë ministrit tonë të dalluar të Financave. Ne kemi pasur shumë kërkesa për këtë përrallë, sa po e ribotojmë dhe njëherë të plotë, pasi shumë qytetarë ndihen të lumtur dhe kanë filluar të shpërndajnë çelësin e zhdukjes së krizës së varfërisë së shqiptarëve. Aq punë ka bërë kjo përrallë në gjirin e pensionistëve, sa njëri syresh u paraqit në dyert e redaksisë me Lamborgini, të cilën e kishte fituar në sajë të përrallës magjike. Ky qytetar na falënderoi ne për informacionin që përcollëm dhe ministrin tonë të nderuar Bode për mundësinë që i dha për t u pasuruar. Ky është teksti i plotë i përrallës së Bodes, të cilën po e botojmë pa e censuruar me kërkesë të lexuesve tanë.
E rrallë, zgjidhja e krizës  sipas ministrit Bode
Në një fshat, i cili ishte i rrethuar nga një pyll i madh, thotë dikush se do të bënte dimër i madh, dhe për të marrë masat paraprake, iu drejtuan më të vjetrit të fshatit për ta pyetur sesi ti rezistonin këtij dimri të madh. E pyetën: A do bëjë dimër i madh, sivjet?  Plaku: Po do bëjë. U turr fshati si të zgjidhte problemin dhe preu drutë e pyllit. Kaloi një vit dhe sërish në prag të dimrit tjetër, fshatarët morën vesh se do të bënte dimër i madh, dhe sërish iu drejtuan më të vjetrit i cili i tha po të njëjtat fjalë. Sërish fshatarët prenë drutë e pyllit, por këtë herë më shumë sesa vitin e parë dhe nuk lanë asnjë dru në pyll. Vitin e tretë, sërish në prag dimri dëgjuan të njëjtat fjalë dhe iu drejtuan plakut të vjetër sërish, këtë herë përgjigja e tij ishte: Po, do të bëjë aq dimër, sa asnjë nga ne nuk do të mbrohet dot, sepse e vetmja gjë që na mbronte ishte pylli dhe ju vajtët e pretë të gjithë atë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›