PD firmos aleancën parazgjedhore me Partinë Agrare Ambientaliste
Partia Demokratike ka firmosur aleancën parazgjedhore me Partinë Agrare Ambjentaliste të Lufter Xhuvelit. Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e kryesisë së Kuvendit nga Sali Berisha si kryetar i PD-së dhe Lufter Xhuveli për Agraro-ambjentalistët. Berisha ka vlerësuar këtë marrëveshje fitore elektorale për qeverisjen e vendit. Ky koalicion është për fitoren elektorale dhe qeverisjen e vendit dhe se cilat do të jenë postet do ti caktojë parlamenti i ardhshëm shqiptar, por PAA-ja do të jetë parti qeverisëse, ka theksuar Berisha në lidhje me pyetjen nëse Xhuveli pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, mund të jetë sërish në këtë detyrë.
Ndërsa përsa i përket zyrtarizmit të shkrirjes së PDR-së me PD-në, kryeministri veçoi se me PDR-në jemi një parti tani dhe është një proces i shkëlqyer, i harmonishëm. Për sa i përket kuvendit, do vendosin strukturat se si do jetë. Unë them që kuvendi do ndjekë të gjitha procedurat, siç i detyron statuti, sepse statuti i ka të përcaktuara. Kuvendi do të jetë energjia, vizioni i fitores, ndaj si mund të jetë pas zgjedhjeve. Para zgjedhjeve do të jetë hovi. Ndër të tjera gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryetari i PD- së, Berisha ka veçuar faktin se ky koalicion nuk ka qenë një koalicion i diktuar nga votat, por i diktuar nga parimet që këto dy forca politike ndajnë për dy problemet më themelore të zhvillimit të shoqërisë dhe vendit, mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. Koalicioni ka një vizion të përbashkët pas fitores, për të marr hapa të tjerë të mëdha në dy drejtime themelore, si në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, ashtu edhe në zhvillimin e qëndrueshëm rural, ka theksuar Berisha duke falënderuar Xhuvelin si dhe partinë Agrare Ambientaliste, për bashkëpunimin luajal dhe të frytshëm që kanë dëshmuar gjatë këtyre katër viteve, dhe ka shprehur bindjen se në katër vitet që vijnë do të jetë akoma më i suksesshëm dhe më i konsoliduar. Ndërsa nga ana e tij, kryetari i PAA-së, marrëveshjen me PD- në e ka quajtur marrëveshje të fitores. "Nënshkrim i marrëveshjes së sotme me PD, të cilën do e quaja marrëveshje e fitores është një rrjedhim logjik i një eksperience dhe bashkëpunimi pozitiv katër vjeçar mes PD dhe PAA, ka deklaruar kryetar i PAA-së. Sipas tij ky bashkëpunim rezultoi produktiv, i suksesshëm dhe reciprokisht korrekt, në të gjitha pikat që janë nënshkruar në vitin 2005. Programi i PAA u integrua tërësisht në programin e qeverisë, që tashmë është zbatuar dhe tejkaluar. U bë e mundur që të rritej pesha e kujdesit për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe bujqësia", ka theksuar ministri, sipas së cilit sektorët që mbulohen nga Ministria e për vitin 2009 kanë një buxhet të dyfishuar prej 2 miliardë e 50 milion lekë. Kjo është marrëveshja e dytë paraelektorale, që PD nënshkruan brenda pak kohësh, ndërsa më parë selia blu ka firmosur me republikanët e Fatmir Mediut.