E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olli Rehn përshëndet hyrjen në fuqi të MSA

Komisioneri Evropian për Zgjerimin, në Komisionin Europian (KE), Olli Rehn, ka përshëndetur hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) me Shqipërinë, e nënshkruar në qershor të vitit 2006. Sipas tij kjo hyrje shënon një erë të re, gjatë së cilës detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë, si dhe pritshmëritë për arritjet e saj, do të jenë më të larta se më parë. Në një deklaratë zyrtare të komisionerit Rehn, të publikuar nga zyra e KE-së, në Tiranë ndër të tjera thuhet se BE do të vazhdojë të mbështesë përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit nëpërmjet procesit të Stabilizim Asociimit, si dhe politikës së BE-së për të ndërtuar bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkëpunim rajonal. Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit janë përbërëse kyçe të këtij procesi. "MSA-ja, Shqipëri-BE paraqet një marrëdhënie kontraktuale me të drejta dhe detyrime të ndërsjella. Ajo përqendrohet tek respektimi i parimeve kyç të demokracisë dhe elementeve thelbësore të tregut të përbashkët të BE-së. Zona e tregtisë së lirë me BE-në dhe aplikimi i standardeve të saj në fushën e konkurrencës, rregullave të ndihmës shtetërore apo pronës intelektuale, së bashku me reformat e hartuara drejt përvetësimit të standardeve evropiane në fusha të tjera, do ti japin Shqipërisë mundësinë ti afrohet BE-së", thuhet në deklaratën e zyrtarit të lartë europian. Ndër të tjera citohet se në mbështetje të reformave të duhura, BE vë në dispozicion ndihmën e para-Anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, e cila do e kalojë shumën prej 6.8 miliardë euro për periudhën 2009-2012. Konferenca e Donatorëve më 2-3 prill do të përqendrohet te përmirësimi i efektivitetit dhe ndikimit të kësaj ndihme nëpërmjet bashkërendimit të donatorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›