E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha- Rama, sot, perballe njeri-tjetrit, ne tryezen e Topit

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama do të përballen sot, pas kaq kohësh, në tryezën e organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Transparenca e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, pritet të jetë sot kryefjala e bisedës mes aktorëve politikë shqiptarë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, pas konsultimeve të shumta që ka pasur dje, por edhe pas një përgatitjeje të gjatë, pritet të ketë me vete jo vetëm Rezolutën e Asamblesë së Këshillit të Evropës, por edhe një material të gjerë rreth 16-17 faqe. Burimet thanë mbrëmë për “Gazeta Shqiptare” se, materiali i detajuar shpjegon nga ana juridike, bazuar në nene të Kushtetutës apo Kodit Zgjedhor, se ajo që kërkohet nga PS-ja, transparenca, është kushtetuese. Me këtë material të punuar me shumë kujdes nga deputetët juristë të PS-së, Rama do të përpiqet të hedhë poshtë argumentet e kreut të Qeverisë dhe maxhorancës. Nuk dihet nëse këtë material Rama do ta lexojë apo thjesht do t’i referohet në tryezën e sotme. Në të njëjtën kohë, burimet bëjnë të ditur se edhe Presidenti i Republikës ka përgatitur një material, më shumë të orientuar në terma të përgjithshëm dhe parimore se sa me detaje konkrete për zgjidhjen e krizës politike. Ai pritet t’u bëjë thirrje të dyja palëve që të gjejnë gjuhën e përbashkët edhe përmes këtij projekti që do t’ua servirë në tryezën e sotme. Ndërsa, sa i përket kryeministrit Berisha, ai tashmë i ka shprehur disa herë edhe publikisht argumentet se përse nuk lejohet hapja e kutive, por mund t’i ofrojë opozitës vetëm shumicën në komisionin hetimor parlamentar. Tryeza Tryeza për vendosjen e një dialogu politik mes palëve do të nisë sot në Presidencë, rreth orës 11:00 paradite. Sipas asaj çfarë është vendosur paraprakisht, kryeministri Sali Berisha do të shoqërohet nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ndërsa kryetari i opozitës, Edi Rama do të shoqërohet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi. Mbledhja do të mbahet në sallën e takimeve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, që pas ristrukturimit të Presidencës është një sallë fare pranë hyrjes qendrore. Media do të lejohet vetëm në fillim të takimit, dhe më pas do të vijojë i mbyllur. Në varësi edhe të ecurisë së bisedimeve, do të shikohet mundësia e deklaratave pas takimit. Skenari i dialogut Diskutimet pritet të nisen pikërisht me interpretimet e ndryshme që palët i kanë bërë rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Shpresat për gjetjen e zgjidhjes pikërisht në tryezën e sotme, janë shumë të vakëta. Burimet thonë se negociatat mund të zgjaten. Të paktën, ky është varianti që ofrohet nga e djathta. Sot do të tentohet të vendoset ky dialog, i cili mund të vijojë më pas në rang teknikësh nga të dyja palët. Sipas kësaj skeme, do të jenë këta ekspertë që do të mundohen të gjejnë një tekst marrëveshjeje, e cila më pas të nënshkruhet sipas të gjitha mundësive në momentin që në Shqipëri do të vijë delegacioni i Këshillit të Evropës. Por, nga ana tjetër, një variant tjetër qarkullon nga e majta, sipas të cilit Rama do të deklarojë prerë se nëse nuk ka hapje kutish, do të vijohet me protesta ta pandalshme dhe me rrugën radikale të gjetjes së zgjidhjes politike. Opozitës nuk i intereson tejzgjatja e negociatave dhe e gjetjes së konsensusit. Megjithatë, çdo gjë qëndron e hapur dhe pritet se si do të rrjedhë biseda sot mes Ramës e Berishës në prani të Presidentit Bamir Topi. (GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›