Iniesta: Atletikon e mundim edhe pa mbrojtës
MADRID-Në një konferencë për shtyp të mbajtur të premten pas stërvitjes, mesfushori i Barcelonës Andres Iniesta foli për mungesat e mëdha që ka kjo skuadër për ndeshjen e së dielës ndaj Atletikos së Madridit. Kampionët e Spanjës do të jenë pa 5 mbrojtës në këtë takim, teksa çigrinski, Pike, Markez, Alvesh dhe Abidal do të mungojnë në “Vicente Calderon”. “është një situatë e vështirë, pasi ne kemi shumë futbollistë jashtë, por ndonjëherë përballesh me situata të tilla, pasi dëmtimet janë pjesë e futbollit, deklaroi Iniesta. – Megjithatë, ne kemi lojtarë nga skuadra e të rinjve dhe veç kësaj, do të luajmë më shumë në sulm”, shtoi ai. Guardiola do të marrë një tjetër mbrojtës nga skuadra e të rinjve, Bartrën, Muniestën ose Dalmaun, për të plotësuar repartin që përbëhet vetëm nga Pujol, Maksuell dhe Milito. Iniesta foli edhe për besimin te të rinjtë, që gjithnjë kanë qenë të rëndësishëm për Barcelonën. “Ata janë stërvitur së bashku me ne dhe kanë shumë talent. Do të bëjmë më të mirën që ata të ndjehen mirë. E rëndësishme është që secili të marrë përgjegjësitë e veta. Ne mbrojmë dhe sulmojmë si skuadër dhe ai që futet në fushë e di mirë se çfarë duhet të bëjë”, tha më tej Andres Iniesta. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)