Kriza, Papandreu kritikon Bashkimin Europian
ATHINë- Kryeministri grek, Jorgos Papandreu ka kritikuar Bashkimin Europian për përgjigjen e vonuar dhe të ngadaltë për të shpëtuar Greqinë. Papandreu i tha kabinetit të tij në Athinë pas kthimit nga Brukseli, se BE-së i mungon koordinimi dhe se ky institucion ka kërcënuar kredibilitetin e Greqisë në arenën ndërkombëtare. Në samitin e Brukselit, BE i ofroi Greqisë ndihmë, por nuk u dhanë detaje se si do të ndihmohet konkretisht ky vend. Kriza e borxheve të Greqisë ka bërë presion dhe mbi euron, duke shkaktuar uljen e vlerës së monedhës europiane. Papandreu tha se Greqia mori vetëm një deklaratë mbështetjeje nga BE, por vuri në dukje se vonesat dhe deklaratat konfliktuale në muajt e shkuar e kanë përkeqësuar situatën. Papandreu gjithashtu ka akuzuar instituicionet e BE, komisionin, vendet anëtare dhe Banken qëndrore europiane për mungesën e koordinimit. BE i kërkon Greqisë të reduktojë me 4% deficitin buxhetor këtë vit. Deficiti i Greqisë është rreth 12.7 %, 4 herë më i lartë nga limiti i lejuar në BE. (e.n/BalkanWeb)