Superliga, java luhet nën frikën e reshjeve
TIRANE- Reshjet e shiut të rëna papushim në 5 ditët e fundit kanë krijuar probleme të mëdha në stadiumet shqiptare, duke vënë jo pak në rrezik edhe takimet e këtyre ditëve. Tashmë është fakt se të gjitha ndeshjet do të luhen në terrene me baltë, por ka edhe nga ato që rrezikojnë të shtyhen, siç është përballja mes Shkumbinit dhe Tiranës ditën e nesërme. Drejtuesit e klubit peqinas kanë bërë të ditur se ky takim edhe mund të shtyhet në rast se shiu nuk pushon, siç u bë me takimin e Kupës ndaj Dinamos, që ishte në program për të enjten. Ndërkohë, java e 21-të ka nisur dje me ndeshjen Laçi-Flamurtari, të cilën vendasit e fituan 3-2. Në fakt, ka qenë një superdominim i laçianëve, sidomos në pjesën e parë, kur u shënuan të pestë golat e kësaj sfide. Ndërkohë, sot do të luhen takimet Kastrioti-Apolonia dhe Vllaznia-Skënderbeu, ndërsa dy ndeshje, Shkumbini-Tirana dhe Teuta-Gramozi, janë në program për nesër. Kjo javë mbyllet me ndeshjen Dinamo-Besa të hënën në orën 17.00.(a.l/balkanWeb)