E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha : SHBA s‘na kërkoi vendosje raketash në Shqipëri

Kryeministri Berisha i ka dhënë përgjigje dje dilemës nëse Shqipëria do të transformohet apo jo në një bazë raketash që mund të përdoren nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Qeveria e SHBA nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për vendosje raketash, por për të qenë i qartë, Shqipëria, si anëtare e ardhshme e NATO-s, do të përmbushë çdo detyrim të kërkuar dhe do të shqyrtojë çdo kërkesë të SHBA që punon për paqen në botë. Por theksoj se deri tani nuk ka asnjë kërkesë", u shpreh Berisha. Deklaratat e Kryeministrit u bënë në selinë e qeverisë, në një konferencë të posaçme për shtyp, ku kreu i ekzekutivit përshëndeti mbylljen përfundimtare të ratifikimit të protokollit të Shqipërisë në NATO. Ratifikimi i protokollit të NATO-s nga 27 vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut cilësohet si një moment historik për Shqipërinë nga Kryeministri Berisha. Sipas tij, ratifikimi i protokollit u bë në kohë rekord. "Në programin tim elektoral, unë u sigurova shqiptarëve ftesën për në NATO, por jo finalizimin e procesit, por ne shumë shpejt jemi anëtarë me të drejta të plota në NATO", u shpreh Berisha. Kryeministri vlerësoi kontributin e ish-presidentit të SHBA-së, Xhorxh Bush, që Shqipëria tashmë renditet në radhët e 27 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. "Kjo është shkalla e mëtejshme e përgjegjësisë për të thelluar më tej reformat dhe për të përmbushur me dinjitet detyrimet që rrjedhin nga reformat", tha Berisha, duke shtuar se "ata që e nisën rrugën për në NATO, ata e sosën, por nuk mund të mos theksoj ndryshimet e thella". Shefi i qeverisë pranoi se po të mos ishte rebelimi i vitit 1997, Shqipëria do të kishte festuar vite më parë hyrjen në NATO. "Nëse në vitet ‘90 ishte vetëm PD dhe opozita, në vitin e fundit, përveç dy personave, Majkos dhe Metës, pala tjetër bënte rezoluta kundër hyrjes në NATO. Por shtoj se PS mori një qëndrim pro anëtarësisë", shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›