E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do t‘u japim fund zonave informale

Kreu i socialistëve, Edi Rama, u ndal dje në Kamëz, në kuadër të turit të tij "Vullnetarët e Bashkimit të Ri për Ndryshim". Rama premtoi në këtë takim se me fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, të gjithë banorët e zonave përreth qyteteve të mëdha, do të marrin një tapi me vlerë për pasuritë e tyre të paluajtshme. "Unë jam këtu për t‘i parë në sy përmes jush të gjithë të ardhurit që kanë ndërtuar themelet e së ardhmes të familjeve të tyre në shtëpitë pa leje rreth Tiranës dhe rreth të gjitha qyteteve të mëdha të vendit", u shpreh Rama. Për t‘ju thënë, vijoi ai, se me fitoren e 28 qershorit, do të marrë fund edhe pritja juaj. "Qeveria jonë e bashkimit të ri, pa dallim feje, krahine dhe ideje, do ta përfundojë legalizimin, jo duke u dhënë në dorë një Shaban-tapi, pa asnjë vlerë, por duke ju kthyer pasuritë tuaja të paluajtshme, duke e kthyer në pasurinë tuaj të paluajtshme, shtëpitë, që politikanët për interesa elektorale, ua mbajnë peng tash 10 vjet", premtoi Rama. Për liderin e opozitës, me fitoren e 28 qershorit, do të fillojë edhe fundi i kaosit në hapësirat informale, ku PS do të investojë fuqimisht si asnjëherë më parë në të gjithë këto vite për kanalizime, rrugë, ndriçim, çerdhe, kopshte dhe shkolla.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›