E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Meta inspekton rrugën Durrës-Kukës

Lideri i LSI-së, Ilir Meta, vizitoi dje nga afër punimet e rrugës Durrës-Kukës. Ai vlerësoi ndërtimin e kësaj rruge, si një vepër të rëndësishme, jo vetëm për bashkimin dhe integrimin e shqiptarëve, por edhe të Ballkanit dhe më gjerë. Meta pa nga afër disa prej urave madhështore të ndërtuara përgjatë kësaj rruge, si dhe tunelin gjigant. "Në gati një dekadë, shqiptarët kanë bërë realitet dy ëndrra, të cilat janë pikërisht liria e Kosovës, si dhe tashmë edhe kjo vepër gjigante", tha ai. Sipas Metës, korrupsioni është një fenomen tepër shqetësues dhe për fat të keq, edhe gjithëpërfshirës. "Që do të thotë se korrupsioni ndihet në të gjithë sektorët e jetës ekonomike në vend dhe padyshim qeveria ka edhe përgjegjësinë e vet për të gjitha procedurat do të thosha, të nxituara apo jo korrekte. Por unë nuk jam këtu si ekspert i prokurorisë apo i gjykatës. Sepse unë besoj te drejtësia e pavarur për çdo problem që ka kushdo pushtetar, politikan apo zyrtar me ligjin", nënvizoi Meta. Në themelet e kësaj rruge, vijoi ai, nuk ka thjesht zhavorr apo elementë të tjerë, të cilët janë të domosdoshëm për të ndërtuar shtratin e një rruge. "Në themelet e kësaj rruge janë ëndrrat e të gjithë atyre brezave e gjeneratave, të cilët kanë jetuar me shpresën për të parë Shqipërinë dhe Kosovën bashkë", argumentoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›