Berisha takon diplomaten suedeze në Tiranë
Kryeministri Berisha priti dje të ngarkuarën me punë të Mbretërisë Suedeze në Tiranë, zonjë Elizabeth Stam, e cila i prezantoi Kryeministrit Berisha prioritetet dhe programin e punës së Presidencës suedeze të Bashkimit Europian për 6-mujorin e ardhshëm. Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i bëri me dije zonjës Stam se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe po punon për të përmbushur të gjitha standardet dhe kriteret, për të ecur me shpejtësi drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zonja Stam e siguroi Kryeministrin Berisha për përkrahjen e plotë të Suedisë dhe Presidencës suedeze të Bashkimit Europian, për të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare për hapat e mëtejshëm në rrugën e integrimit europian. "BE-ja dhe Presidenca suedeze do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, çka u rikonfirmua edhe një herë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, të mbajtur dy ditë më parë në Bruksel", u shpreh Stam. Kryeministri Berisha i bëri me dije zonjës Stam gjithashtu, masat dhe reformat e rëndësishme të qeverisë shqiptare edhe për sa i përket liberalizimit të vizave për të garantuar lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirat europiane.