Qeveria, "Ok" rikthimit të emigrantëve të paligjshëm
Qeveria vendosi dje miratimin në parim të protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Hungarisë për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe komunitetit europian për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar, nënshkruar më 14 prill 2005 në Luksemburg. Një vendim i tillë u mor në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr. 8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e ministrit të Brendshëm. Përmes këtij vendimi, Shqipëria angazhohet kështu të presë zyrtarisht të gjithë emigrantët jolegalë që ndodhen në vendet e Bashkimit Europian. Një vendim i tillë pritet të ketë shumë pasoja, për shkak se numri i shtetasve shqiptarë pa dokumentet e ligjshme në vendet europiane është relativisht i lartë. Marrëveshja e nënshkruar dhe e protokolluar tanimë është një detyrim që pala shqiptare merr në kuadër të marrëdhënieve me Bashkimin Europian dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ripranimi i shtetasve është gjithashtu një prej kritereve mbi të cilat bëhet edhe vlerësimi për çështjen e liberalizimit të vizave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Pas zbatimit të marrëveshjes, kthimet e emigrantëve nuk bëhen më të shkëputura, por në mënyrë të organizuar nga shteti. Në këtë formë, Bashkimi Europian zgjidh edhe problemin që ka me shtetasit shqiptarë të papajisur me dokumentet legale. Marrëveshja e Ripranimit mes KE-së dhe Shqipërisë është një marrëveshje kuadër ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Kjo marrëveshje përcakton mënyrën e veprimit reciproke për kthimin e emigrantëve të parregullt dhe do të plotësohet nga protokollet dypalëshe të zbatimit.