E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëhilli: Rama tentoi të ushtronte presion mbi KQZ-në

Partia Demokratike iu përgjigj dje deklaratës së kreut të Partisë Socialiste për mungesë transparence të procesit zgjedhor. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, deklaroi se nuk ka asnjë të vërtetë për atë çfarë pretendon Rama për mungesë transparence dhe sipas saj, kjo vërtetohet me përgjigjen që dhanë shqiptarët duke u pajisur me karta identiteti pavarësisht se Rama bënte thirrje të mos i merrnin ato. "Në apologjinë e tij të humbjes, Edi Rama deklaroi se numërimi i votave nuk ishte transparent, ndërkohë që pa përjashtim të gjithë komisionerët e tij në Berat Tiranë e Shkodër kanë firmosur çdo procesverbal e çdo tabelë rezultatesh pa asnjë vërejtje", tha Mëhilli. Sipas saj, ky numërim për herë të parë u bë me skanim dhe filmim të plotë të fletëve të votimit, pra me transparencën më të lartë në historinë e vendit, dhe Rama pasi pa një nga një numërimin e votave të të gjithë Qarkut të Beratit, kuptoi se ai me ligësi e pabesi po akuzonte komisionerët e Partisë Socialiste se kishin numëruar me korrektesën më të madhe. Sa u përket institucioneve që ligjëruan procesin zgjedhor, Mëhilli vuri në dukje se Edi Rama tentoi të ushtronte presion, por tentativat e tij dështuan, sepse nuk ishte i zoti të paraqiste as provën më të vogël për parregullsi në numërimin e votave. "Kërcënimet e tij janë aq të padenja sa janë edhe përpjekjet e tij si humbës për të damkosur zgjedhjet vetëm e vetëm për të maskuar disfatën e tij", përfundoi Mëhilli.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›