Qeveria: Të rishohim ligjin për hetimin e pasurive
Komiteti Ndërministror për Integrimin miratoi dje raportin, i cili i shkon në Komisionin Europian për t‘u vlerësuar dhe mundet që nga tetori të vijë sërish një tjetër ekip i tyre për të parë të gjithë problematikën. Kryeministri deklaroi se dokumentet e identifikimit po prodhohen me cilësinë më të lartë dhe është shtuar numri i qytetarëve që marrin pasaportat biometrike. Por, ne do t‘u japim përgjigje edhe një serie çështjeve të tjera. Gjithashtu, shtoi ai, dua të bëhet i gjithë kuotimi i financimeve për funksionimin e luftës kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe kundër trafiqeve. "Ky është një problem jo i komplikuar. Duhet të paraqitet më mirë puna e agjencive. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive bën një punë shumë serioze dhe është një nga inspektoratet me ligjin më të mirë, por që mund t‘ia përmirësojmë sërish për çfarë mund të ketë nevojë", u shpreh Berisha. Në qoftë se lexohen deklarimet e pasurive të vendeve të tjera, tha ai, ligji shqiptar për deklarimin e pasurive është ndër më të mirët. "Inspektoratit, në rast se ka probleme, veçanërisht për hetimet, duhet t‘ia krijojmë të gjitha mundësitë", theksoi Berisha.