E Diel, 1 Nëntor 2026

Fratini: Samit BE-SHBA për integrimin e Ballkanit

Italia mbështet mbajtjen e një samiti të BE-së, me praninë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të jepet një mesazh i qartë dhe konkret për anëtarësimin në union të vendeve të Ballkanit. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini në një intervistë për të përditshmen serbe "Vecernje Novosti". "Italia ka mbështetur gjithnjë idenë se BE-ja duhet të zgjerojë hapësirat e saj, duke futur në union edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse stabiliteti i rajonit është ngushtësisht i lidhur me progresin drejt BE-së", tha Fratini. Sipas tij, është propozuar që në samit të marrin pjesë shefat e qeverive së vendeve anëtare të BE-së, SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi mund të mbahet vitin e ardhshëm, 10 vjet pas Samitit të Zagrebit, ku nisi procesi i avancimit të Ballkanit drejt unionit. Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës i është kërkuar që të punojnë fort për ta parë veten në këtë union. Në prill të këtij viti, Fratini deklaroi idenë për thirrjen e Samitit Europian, në qendër të të cilit të ishte Ballkani Perëndimor. Ky është një prej tetë propozimeve të bëra publike nga ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini. Plani është shpalosur gjatë punimeve të Samitit të Pragës, ku ishin të pranishëm ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian dhe diplomatët amerikanë. Paketa synonte përshpejtimin e rrugës integruese në organizmat euroatlantikë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Propozimi i parë kishte të bënte me regjimin e lirë të vizave. Italia mendonte se në fund të muajit maj, Komisioni Europian do të mund të fillonte përgatitjet për raportin teknik rreth aplikimit të Malit të Zi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ky veprim mendohej të vazhdonte më pas në të njëjtën mënyrë me Shqipërinë dhe Serbinë. Së treti, Italia synonte që të mbylleshin negociatat për pranimin e Kroacisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2010. Referuar kësaj çështjeje, Italia mbështeste atë çka cilësohet "road-map" për Kroacinë, dokument i hartuar nga Komisioni Europian dhe që përshkruan rrugën që duhet të ndjekë ky vend. Së katërti, Italia bënte thirrje për forcimin e rolit europian në Bosnjë-Hercegovinë. Së pesti, Italia kërkonte që të zhbllokohej hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis Serbisë dhe Bashkimit Europian. Pika e gjashtë e planit "Fratini" fliste për zhbllokimin e shpejtë të çështjes së emrit të "Maqedonisë", në mënyrë që të kalohet te negociatat për pranimin në Bashkimin Europian dhe futjen në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Së shtati, diplomacia zyrtare italiane theksonte rëndësinë e mbështetjes për Kosovën. Pika e tetë e planit propozonte thirrjen e një samiti BE-Ballkan Perëndimor, në fillim të vitit 2010 teksa dëshirohet edhe pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë aktivitet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›