Qeveria akordon fondin, të dielën zgjedhjet në Komunën Ballagat
Këshilli i Ministrave i akordoi dje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një fond shtesë prej 1.5 milionë lekësh për të organizuar zgjedhjet në Komunën e Ballagatit në Fier. Me vendim të qeverisë, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", dhe të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, "Për buxhetin e vitit 2009", me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi të japë shumën e duhur duke parashikuar edhe shpërndarjen e tyre. Në vendimin e qeverisë theksohet se Këshilli i Ministrave i akordon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për financimin e zgjedhjeve të pjesshme, për kryetarin e Komunës Ballagat, të Qarkut të Fierit, më 2 gusht 2009, një fond shtesë, prej 1500000 (një milion e pesëqind mijë) lekësh. Vendimi parashikon që 500000 lekë të shpenzohen për paga e sigurime dhe 1500000 lekë, për materiale e shërbime. Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2009 ndërsa është detyra e KQZ dhe e Ministrisë së Financave që të zbatojë vendimin. Zgjedhjet në Komunën Ballagat do të zhvillohen këtë diel, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë masat dhe vendimet përkatëse për organizimin e tyre. Paralelisht me procesin zgjedhor të 28 qershorit, ky institucion ka përgatitur infrastrukturën zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme në këtë komunë. Ndërsa Partia Socialiste është impenjuar me periudhën paszgjedhore të 28 qershorit, Partia Demokratike ka zhvilluar fushatën për kreun e kësaj komune. Disa ditë më parë, Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Ballagat-Peqin, një investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 150 milionë lekë dhe me gjatësi 12 kilometra. "Ju ftoj të merrni pjesë të gjithë në zgjedhjet në komunën tuaj, të votoni për vazhdimin e ndryshimit. Shqipëria ka nevojë për besimin tuaj, për votën tuaj. Unë ju garantoj ju se kjo votë do të shndërrohet në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore, pensione të larta, do të shndërrohet në mbështetjen më të fuqishme që keni njohur ndonjëherë për fermat tuaja dhe për zhvillimin e tyre", u shpreh Kryeministri Sali Berisha gjatë këtij takimi. Shkaku i rivotimit për kryetar komune në Ballagat rrjedh që prej shkurtit të 2007-s. Në këto zgjedhje ka dalë fitues për këtë komunë Fatos Sharka. Ai doli si kandidat i pavarur në zgjedhjet vendore të 2007-s, për faktin e vetëm se nuk pranoi koalicionin PS-LSI. Sharka ishte anëtar i PS-së së Lushnjës dhe të Ballagatit. Por fitorja e Sharkës nuk zgjati më shumë, pasi ai u akuzua nga qeveria për shpërdorim detyre dhe Gjykata e Lushnjës e dënoi me 2 vjet burgim dhe 300 mijë lekë gjobë. Në këto zgjedhje nga Partia Demokratike kandidon Serbet Sharka, ndërsa nga Partia Socialiste, Neshat Sharka.