E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema brenda PD, Basha mund të bëhet nënkryetar

Paralelisht me përmbylljen zyrtare të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit kanë filluar të qarkullojnë opsionet dhe kombinacionet e mundshme brenda Partisë Demokratike. Burimet nga selia blu sqarojnë se përplasja më e rëndësishme do të ishte ajo për postin e ministrit të Punëve të Jashtme, që aktualisht mbahet prej Lulzim Bashës. Në këtë karrige synon të ulet Kryetarja aktuale e Kuvendit të Shqipërisë, njëkohësisht nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli. Një prej skemave që qarkullon brenda partisë kryesore të së djathtës është edhe lënia e Lulzim Bashës jashtë kabinetit. Duke qenë se është i preferuari i kreut të PD-së, Sali Berisha, Bashës mund t‘i ofrohet diçka më e këndshme. Burimet sqarojnë se kjo skemë, nëse do të arrijë të

realizohet, parashikon kalimin e Bashës në postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike duke spostuar Astrit Patozin që mban këtë detyrë aktualisht. Së bashku me karrigen e numrit dy të Partisë Demokratike, Basha mund të bëhet edhe kryetar i grupit parlamentar të selisë blu. Pesha politike që ka një grup me 68 deputetë bën që emri i përzgjedhur të jetë më i gjeturi, por edhe më i besuari nga Kryeministri Sali Berisha. Që nga viti 2005, Partia Demokratike kishte në krye të grupit parlamentar Bamir Topin, i cili ishte njëkohësisht edhe nënkryetar i partisë. Zgjedhja e Topit në postin e Presidentit të Shqipërisë çoi në lënien bosh të këtyre dy vendeve që mbante në parti. Pas zgjedhjeve që u bënë brenda selisë blu u caktua Astrit Patozi si zëvendësuesi i Topit. Por, kalimi i Bashës në pozicionin e nënkryetarit demokrat do të shkaktonte jo pak probleme brenda partisë. Personi i parë që tanimë synon këtë post është Genc Pollo, djali plangprishës, i rikthyer në "shtëpinë" e dikurshme. Nëse situata me Pollon do të ishte më lehtësisht e zgjidhshme, duke i ofruar mandat në kabinetin qeveritar, ndryshe është situata me Jozefina Topallin. Kalimi i Bashës në të njëjtin nivel partiak me të do të shkaktonte shumë përplasje teksa Topalli është përfolur shumë herë si pasuese e mundshme e Berishës në krye të Partisë Demokratike. Nga shumë zëra brenda demokratëve mendohet se afrimi i Bashës do të ishte ndoshta në një farë mënyre edhe përgatitja e liderit të ri të Partisë Demokratike. Ngritja në hierarkinë partiake drejt numrit një është gjetja më e duhur për ta bërë gati Bashën për të marrë partinë. Në këtë formë, në Partinë Demokratike mund të ndodhë ndryshe nga Partia Socialiste, ku largimi i liderit historik la një vakum në drejtim, i cili u plotësua nga Edi Rama. Por për të arritur deri këtu, Bashës i duhet të kapërcejë pengesën që mban emrin "Topalli". Gruaja e hekurt e demokratëve deri më tani ka treguar se ka një protagonizëm të madh brenda strukturave të Partisë Demokratike. Ka munguar, të paktën në publik, një përplasje midis Topallit dhe Berishës, që duket se në këto vite kanë arritur të merren vesh shumë mirë. Nëse Topalli do të lërë postin e Kryetares së Kuvendit, gjasat janë që ajo t‘i drejtohet Ministrisë së Jashtme. Më parë është lakuar edhe një skemë, sipas së cilës Topalli të mund të merrte kryesimin e grupit parlamentar. Megjithatë, përplasjet e shumta me opozitën kur ishte në krye të Kuvendit mund ta "penalizojnë" paksa Topallin në këtë pozicion.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›